ORCA: Universiteti i Mitrovicës, i dyti me punime shkencore dhe tituj akademik të justifikuar

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” është universiteti i dytë në Kosovës që përmbush kriteret për nga numri i punimeve shkencore dhe stafit akademik.

Kjo është një nga të gjeturat nga raporti i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) për  publikimin shkencor dhe justifikimin e titujve akademik në Universitetin e Mitrovicës.

Sipas ORCA-s, 48% e profesorëve në Universitet të Mitrovicës, nuk i justifikojnë titujt akademikë sipas kriterit të punimeve shkencore si autor i parë.

“Për krahasim, mosjustifikimi i titujve në vitin 2020 në Universitetin e Gjakovës është 65%, ndërkohë që mosjustifikimi i titujve për vitin 2019 në Universitetin e Prishtinës ishte 55%, në Universitetin e Prizrenit ishte 64%, dhe në Universitetin e Pejës ishte 70%”, thuhet në raportin e tyre,

Tutje ORCA thotë se 32% e profesorëve në Universitetin e Mitrovicës nuk kanë asnjë punim të publikuar si autor i parë.

“Për krahasim, gjatë vitit 2020 në Universitetin e Gjakovës ishin 54%, ndërkaq për vitin 2019, në Universitetin e Prishtinës ishin 39% e profesorëve që nuk kanë asnjë punim të botuar, në Universitetin e Prizrenit ishin 55% dhe në Universitetin e Pejës ishin 66%”, thuhet në fund.

Vegëza e raportit: : http://orca-ks.org/wp-content/uploads/2021/04/Integriteti-akademik-ne-Universitetin-e-Mitrovices.pdf