ORCA: Tentativa e zvarritjes së procesit të zgjedhjes së rektorit, e pa pranueshme

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” sot ka mbajtur mbledhjen e saj, por nuk ka proceduar me intervistimin e kandidatëve për rektor.

Kjo pasi që njëri nga kandidatët, Zenun Halili është duke u hetuar nga Agjencioni Kundër Korrupsion.

Në lidhje me këto vonesa të intervistimit të kandidatëve, zëvendës drejtori i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, Gramos Buçinca, ka thënë se tentativa e zvarritjes së procesit të zgjedhjes së rektorit është e pa pranueshme.

“Siç e kemi deklaruar në komunikatën e ditës se djeshme, komisioni i profesional i Senatit me vendim profesional dhe të arsyetuar mirë, ia ka propozuar kandidatët për Rektor, Këshillit Drejtues. Agjencia Kundër Korrupsion do të duhej të ndërmerrte vendim sa me shpejte, sepse ligji qartazi nuk e lejon kandidimin e zyrtareve te larte në një pozite, e cila ne dy vitet e fundit ka qene vartëse e po atij zyrtari”, ka thënë ai për KALLXO.com.

“Tentativa për me e zvarritë procesin përmes apelimeve në pafundësi, që në ndërkohë me manovra partiake, të futen në lojë kandidatë jo-legal, janë totalisht të papranueshme në UP”, ka shtuar ai.

KD i UP-së sipas planik dinamik të zgjedhjeve të UP-së ishte e paraparë që të mbante intervistat me kandidatët për rektor, gjatë ditës së djeshme, por kjo nuk kishte ndodhur.

Kandidati Zenun Halili ishte eleminuar nga gara për rektor nga Komisioni Profesional për shqyrtimin e aplikacioneve të konkursit për rektor, të formuar nga Senati.

Ky komision në raportin final kishin konstatuar se sipas kritereve të konkursit publik, ai është në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

“Komisioni ka analizuar dhe marrë për bazë dispozitat e ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit  në Ushtrimin e Funksionit Publik. Gjatë shqyrtimit të aplikacionit të kandidatit, Zenun Halili, komisioni profesional ka vërejtur se Prof, Zenun Halili, ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së, i cili është organ mbikëqyrës i UP-së dhe ai të njejtën pozitë e ka mbajtur nga vitit 2019 deri në vitin 2020”, thuhet në raportin e komisionit vlerësues.

KALLXO.com kishte raportuar se Halili po ashtu ka qenë kandidatë për deputet nga partia e Ramush Haradinaj, AAK në vitin 2014.

Ky komision i cili ishte në përbërje me kryetar Qerkin Berisha, Kurtesh Sherifi, Liridon Veliu, Qefsere Gjonbalaj dhe Gent Sallauka.

Rektori zgjidhet nga Këshilli Drejtues nga lista e kandidatëve të propozuar nga Komisioni profesional prej pesë anëtareve, të cilin komision e formon Senati.

Në garën për të parin e UP-së kanë qenë pesë kandidatë dhe vetëm tre prej tyre janë propozuar për rektor të UP-së që janë Naser Sahiti, Faton Berisha dhe Blerim Rexha.

Konkursi për rektor të Universitetit të Prishtinës ishte hapur më 10 korrik dhe ishte mbyllur më 24 korrik në ora 15:30. Sipas konkursit, të drejtë kandidimi për këtë pozitë kanë pasur kandidatët e brendshëm dhe të jashtëm.

Edhe pse sipas dinamikës zgjedhore të UP-së, të miratuar nga ana e Këshillit Drejtues i UP-së, isht e paraparë që në këtë kohë të bëhej intervistomi, rend dite në këtë mbledhje është verifikimi i mandatit të anëtarit të ri të KD-së, Florim Isufi, diskutimi rreth procesit zgjedhor të UP-së dhe raporti i KQZ-së, diskutimi dhe marrja e vendimit për plotësimin e komisioneve funskionale dhe komisioneve tjera ndihmëse për KD, etj.

KALLXO.com po ashtu dje kishte raportuar se nuk ishte mbajtur intervistimi i kanditatëve për rektor nga KD i UP-së dhe se nuk ishin dërguar ftesat ndaj kandidatëve.

Shtyhet intervistimi i kandidatëve për rektor të UP-së

.