ORCA: Stafi akademik menaxherial i universiteteve publike me pagë më të lartë se presidentja

Shumica e profesorëve me pozita të larta drejtuese në universitetet publike, përfshirë këtu rektorë, prorektorë, dekanë dhe prodekanë, kanë të ardhura mujore më të larta se sa presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Kjo është një nga gjetjet e hulumtimit të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), në kuadër të publikimit për menaxhimin e financave të universiteteve publike, ku është theksuar se kjo ka ndodhur për shkak të shtesave mujore që i marrin ata, përveç pagës bazë.

Liridona Ademaj, autore e këtij raporti tha se bazuar në deklarimet e pasurisë të vitit 2021, Universiteti i Gjilanit ka më së shumti shtesa mujore me një mesatare prej 838 euro, ndërkaq Universiteti i Prishtinës e ka mesataren më të ulët të shtesave mujore me një shumë prej 371 euro.

Ajo shtoi se rektori që është paguar më së shumti nga buxheti i shtetit, është ish-rektori i Universitetit të Pejës, Fadil Millaku, pasur nga ai i Gjakovës, Artan Nimani.

“Rektorët e universiteteve publike paguhen mesatarisht 2,298 euro në muaj, nga të cilat mesatarisht 939 euro janë shtesa. Rektori i cili paguhet më së shumti në universitete publike është Fadil Millaku, tashmë ish rektor i Universitetit të Pejës, me 2,554 euro në muaj”, tha Ademaj.

Ademaj tha se prorektorët e universiteteve publike paguhen mesatarisht 2,053 euro në muaj, nga të cilat mesatarisht 785 euro janë shtesa.

Kurse, prorektorja e cili paguhet më së shumti në universitete publike është Vjollca Dibra, tashmë ish-prorektore në Universitetin e Gjakovës, me 2,603 euro në muaj, shumë kjo që e tejkalon edhe pagën e presidentes së Kosovës që është 2,390 euro në muaj.

“Kjo njëherit është edhe personi më i paguar nga të gjitha pozitat në të gjitha universitetet publike”, thotë Ademaj.

Ajo shtoi se dekanët e universiteteve publike paguhen mesatarisht 1,934 euro në muaj, nga të cilat mesatarisht 672 euro janë shtesa.

Dekani me të ardhura më të larta, sipas këtij raporti është Idriz Berisha nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Gjakovës me 2,463 euro, ku përveç pagës bazë, merr 1,129 euro shtesa, pasuar nga dekanja e Fakultetit të Mjekësisë së UP-së, Suzana Manxhukra – Kërliu.

Ndërsa, sipas raportit të ORCA-s, prodekanët e universiteteve publike paguhen mesatarisht 1,613 euro në muaj, nga të cilat mesatarisht 400 euro janë shtesa.

ORCA ka shtuar se mesatarja e shpenzimeve për kokë studenti në universitete publike në vitin 2020, është 796 euro.

Këto janë disa nga gjetjet kryesore, të cilat janë gjeneruar gjatë hulumtimit, për të cilat detaje më të hollësishme mund të gjeni në raport: http://orca-ks.org/ëp-content/uploads/2021/11/Menaxhimi-i-financave-3.pdf .