ORCA reagon për kandidimin e Zenun Halilit për rektor në UP

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka reaguar pas kandidimit të Zenun Halilit për pozitën e rektorit në Universitetin e Prishtinës.

Në reagim thuhet se ORCA  është e shqetësuar për kandidimin e Halilit dhe ka vendosur t’i analizojë kredencialet e tij akademike dhe etike.

“Zenun Halili ka filluar punën në UP në vitin 2003, ndërsa është avancuar në pozitën e profesorit të asocuar në vitin 2011, pozitë për të cilën i janë dashur 3 punime shkencore në revista ndërkombëtare të cilat nuk i ka pasur. Në CV-në e tij të përditësuar në faqen e UP-së më 7 korrik të këtij viti, pra para disa javësh, evidentohet se deri në vitin 2018 Zenun Halili nuk ka pasur asnjë punim shkencor të publikuar në revista ndërkombëtare. 3 punimet e tij pas vitit 2018 janë në revista që përkasin në platformën WorldCat e cila nga janari i vitit 2021 nuk është e vlefshme për avancim në UP”, thuhet në reagim.

Tutje thuhet se Zenun Halili është po ashtu autor në dy punime që janë të listuara në listën e revistave mashtruese, çka sipas ORCA-s do të ishte jashtëzakonisht problematike nëse Halili zgjidhet rektor.

Zenun Halili ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Këshillit Drejtues me qëllim të kandidimit për rektor të UP-së.

“Kjo na bën të dyshojmë se ai ka marrë garanci të forta politike për zgjedhje si rektor pasi rikthimi në pozitën e mëparshme të anëtarit të Këshillit Drejtues pas dorëheqjes nuk do të jetë më i mundshëm”, thuhet në reagimin e ORCA-s.

ORCA ka bërë të ditur se Zenun Halili është bashkautor me ministrin aktual të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj në një punim të fushës së arsimit profesional.

“Përveç lidhjes politike evidente mes tyre, ajo që mbetet e çuditshme për ORCA-n është fakti që Zenun Halili – profesor i shkencave politike është bashkëautor në punim të pretenduar shkencor për arsimin profesional me Ramë Likajn – profesor i inxhinierisë mekanike, gjë që ngritë dyshime për cilësinë e punimit dhe revistës ku është publikuar ky punim, pasi fushat e studimit të autorëve janë rrënjësisht të ndryshme nga njëra tjetra e po ashtu në raport me fushën e arsimit profesional në të cilën e kanë publikuar punimin e pretenduar shkencor”, thuhet tutje në reagim.

ORCA u ka bërë  thirrje organizatave studentore, stafit akademik, dhe OJQ-ve të reagojnë në moslejimin e degradimit të mëtejmë të situatës në arsim ku tashmë ministri dhe zëvendësministri janë inkompetentë, ndërkohë që synohet që pozita të tjera me rëndësi për Arsimin e Lartë të mbushen me njerëz të kalibrit të tyre.