ORCA reagon pas shtyrjes së intervistimit të kandidatëve për rektor

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ka reaguar pas shtyrjes së intervistimit të kandidatëve për rektor nga ana e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

ORCA përmes një njoftimi për media tha se është e shqetësuar me mos-përpikërinë e Këshillit Drejtues dhe e vlerëson këtë si një manovër për të hedhur mjegull mbi proces.

“Në ndërkohë që me metoda klandestine të bëhet i mundur kandidimi i personave jo-kredibil të dirigjuar nga partitë politike.  Shtyrja dhe tej zgjatja e proceseve, për të pritur deri sa të zgjidhet kandidati i caktuar, apo të digjet në afat i tërë procesi, janë praktika korruptive mjaft të njohura në Kosovë”’, thuhet më tej.

Sipas ORCA-s, komisioni profesional për verifikimin e kandidatëve për Rektor, i emëruar nga organi më i lartë akademik në UP – Senati, ka dhënë vendim profesional dhe të arsyetuar mirë për kandidatët që ia ka propozuar Këshillit Drejtues.

“I bëjmë thirrje të gjitha organeve të përfshira, sidomos Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsion që të jap përgjigjen e duhur sa më shpejtë që është e mundur. Në këtë mënyre pamundësohet prolongimi dhe sabotimi i zgjedhjes meritokratike të Rektorit të ri”, është thënë në fund të reagimit.

KALLXO.com raportoi më herët se është shtyrë intervistimi i kandidatëve për rektor të UP-së.

Këshilli Drejtues është organ vendimmarrës dhe çështja e zgjedhjes së rektorit i takon këtij këshilli.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka hapur konkursin për rektor të këtij Universiteti. Konkursi ishte hapur më 10 korrik dhe ishte mbyllur më 24 korrik.

Për këtë pozitë kishin kandiduar pesë kandidatë, por vetëm tre prej tyre janë dërguar në Këshill Drejtues nga komisioni profesional, i formuar nga senati.

Ky komision i cili ishte në përbërje me kryetar Qerkin Berisha, Kurtesh Sherifi, Liridon Veliu, Qefsere Gjonbalaj dhe Gent Sallauka.

Në bazë të vendimit të komisionit profesional, për këtë pozitë janë propozuar Blerim Rexha, Faton Berisha dhe Naser Sahiti. Ky komisioni ka larguar nga kandidatura Isuf Musliun dhe Zenun Halilin.

Shtyhet intervistimi i kandidatëve për rektor të UP-së

.