ORCA reagon ndaj emërimit të anëtarit të ri në KShC, kërkon ndalimin e interferimeve politike

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ka reaguar ndaj vendimit të Ministrit të Arsimit për emërimin e një bashkëpartiku në Këshillin Shtetëror të Cilësisë.

ORCA ka reaguar pasi KALLXO.com publikoi artikullin ku vetë anëtari i ri i KShC-së, Binak Beqaj e pranon se është anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo të cilës i takon edhe vetë Ministri, Ramë Likaj.

“ORCA e dënon emërimin në mënyrë jotransparente të anëtarit të ri të Këshillit Shtetëror të Cilësisë Binak Beqaj. ORCA është e shqetësuar me komoditetin e Beqajt për të deklaruar në medie se është anëtar i AAK-së, e po ashtu me komoditetin e ministrit plagjiator të Arsimit Ramë Likaj për të bërë emërime politike. Për më tepër, në vështrimin tonë të parë të punës shkencore të anëtarit të ri të KShC-së, del se është nën mesataren e profesorëve të Universitetit të Prishtinës”, thuhet në reagimin e ORCA-s.

Ata gjithashtu kanë reaguar ndaj zvarritjes së zgjedhjes së rektorit të Universitetit të Prishtinës.

“Në anën tjetër, ministri plagjiator, përmes anëtarëve të vet në Këshillin Drejtues të UP-së e ka bllokuar procesin e zgjedhjes së rektorit pasi ka dështuar tentativa e parë për kapje të pozitës së rektorit përmes Zenun Halilit, i cili doli se ka konflikt interesi. Kalendari i procesit për zgjedhjen e rektorit është anashkaluar për t’u orvatur që përmes Agjencisë Kundër Korrupsion apo në ndonjë formë tjetër, të prishet i tërë procesi ashtuqë Halili të zëvendësohet me një kandidat tjetër nga radhët e partisë së ministrit plagjiator”, thuhet në reagim.

Profesori anëtar i AAK-së emërohet në Këshill Shtetëror të Cilësisë