ORCA organizon ekspozitë “Plagjiatura e Ministrit të Arsimit”

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim sot ka mbajtur një aksion simbolik duke organizuar ekspozitë me titull “Plagjiatura e Ministrit të Arsimit”.

Drejtori i ORCA-s, Rron Gjinovci, përmendi 19 punime shkencore të ministrit të sapo emëruar, Ramë Likaj që i kishte publikuar brenda një viti e gjysmë.

Ndërkaq,  sipas tij,  vetëm për një punim duhet 6 muaj deri në një vit për ta përfunduar.

“Pas një punë 3 vite e gjysmë të ORCA-s vendosëm të organizohet ekspozita e parë historike e plagjiaturave të zyrtarit më të lartë të arsimit në Kosovë, ministrit të Arsimit, Ramë Likaj. ORCA e ka ngritur rastin në këshillin e etikës të UP së në vitin 2018 gjatë periudhës së avancimeve akademike kur ministri i tanishem ishte avancuar më titullin më të lartë akademik në UP”, tha Gjinovci.

Sipas tij, Likaj atë kohë si Profesor i Asocuar pretendonte se brenda 1 viti e gjysme kishte botuar 19 punime shkencore.

“Neve na u duk e çuditshme dhe me bë një hulumtim të thjeshtë gjetëm se një norvegjez në fushën e njëjte të studimit publikonte 0.96 punime në vit. A ishte Ramë Likaj supermen apo inxhinier norvegjez të mekanikës të lodhtë?”, tha Gjinovci.

Tutje ai ka thënë se ORCA ka dorëzuar 400 faqe me prova se punimet e një grupi profesorësh, përfshirë ministrin Likaj janë në revista mashtruese ku kishin publikuar artikuj, sipas tij, plagjiaturë.

“Revistat në fjalë ishin të indeksuara në platformën SCOPUS që konsiderohet e besueshme. Kjo plagjiaturë po bëhet e mundur për publikun përmes kesaj ekspozitë”, tha më tej Gjinovci.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në lidhje me këtë ekspozitë mirëpo deri më tani nuk kemi pranuar përgjigje.