ORCA: Fakulteti i Mjekësisë ka rritur numrin e publikimeve shkencore

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsimit (ORCA) ka përgëzuar Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për rritjen e publikimeve shkencore.

Këtë ORCA e ka bërë gjatë vizitës në ndërtesën e re të këtij Fakulteti që pritet të funksionalizohet së shpejti.

“Lulja e parë për ndërtesën e re të Fakultetit të Mjekësisë, vjen nga ORCA. Me rastin e vizitës përgëzuese për stafin akademik të Fakultetit të Mjekësisë, si dhe menaxhmentit të tij, na u prezantua ndërtesa e re e Fakultetit e cila për pak ditë pritet të funksionalizohet në tërësi. Me këtë rast, ORCA uroi dekanen Suzana Manxhuka-Kërliu për mandatin e ri si dekane dhe i uroi sukses në avancimin e mëtutjeshëm të Fakultetit”, thotë ORCA përmes një njoftimi për media.

Tutje ORCA thotë se Fakulteti i Mjekësisë ka shënuar rritje domethënëse të publikimit shkencor nga viti 2018 kur kishte 6 punime për kokë profesori, në 7 punime për kokë profesori në vitin 2019.

“Kjo e bën këtë fakultet një nga tre më të mirët të Universitetit të Prishtinës. ORCA është e lumtur për avancimin në këtë drejtim dhe shpreson që hapësirat e reja do të ndikojnë në rritjen e performancës për vitin 2020”, thuhet më tej.

ORCA ditë më parë ka përgëzuar edhe Universitetin e Gjakovës për rritjen e publikimeve shkencore.

ORCA: Universiteti i Gjakovës shënon përmirësime në publikime shkencore

.