ORCA dhe UP-ja zotohen për bashkëpunim

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim dhe rektori i Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, Naser Sahiti janë zotuar për bashkëpunim në mes dy palëve.

ORCA ka bërë të ditur se do të bëjnë promovimin e çdo arritje  pozitive dhe do të adresoj kritikat për dukuritë negative të cilat kanë të bëjnë më cilësinë në UP.

“ORCA është takuar me Rektorin Prof. Dr. Naser Sahiti, rektorin e parë të zgjedhur pa asnjë kontestim publik të zgjedhjes së tij, në një proces të monitoruar nga shoqëria civile. Është rektori i parë pas një kohe të gjatë, përmbush vet kushtet për titullin që mban sipas numrit të publikimeve shkencore. Është rektori i parë që në ekipin e tij të prorektorëve ka 3 gra, gjë që na bënë shpresë mirë për adresimin e çështjes së barazisë gjinore dhe parandalimit të ngacmimeve në Universitetin tonë. Prorektorët po ashtu përmbushin kriteret formale të numrit të publikimeve shkencore për të justifikuar titujt akademikë që kanë.”, thuhet në komunikatën e ORCA-së.

Tutje është thënë se kjo vizitë nuk ka qenë e rastësishme, por një vizitë e qëllimshme, me mesazh të qartë e të fortë të përkrahjes së ORCA-s për vazhdimin e reformave të premtuara në UP.