Kundër plagjiaturës të përbashkuar, ORCA. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

'ORCA' dhe 'Qëndresa Qytetare' me aksion të përbashkët kundër plagjiaturës

Organizata për rritjen e cilësisë në arsim, ‘ORCA’ nga Kosova dhe ‘Qëndresa qytetare’ nga Shqipëria përmes një aksioni protestues para ambasadave të Kosovës dhe Shqipërisë kanë denoncuar publikisht ministrat e arsimit Ramë Likaj, ministër i arsimit në Kosovë dhe Evis Kushin, ministre e arsimit në Shqipëri për plagjiaturë.

Sipas Rron Gjinovcit, përfaqësues i organizatës ORCA, këta dy ministra janë autorë të punimeve që përbëjnë plagjiaturë dhe asnjëri prej tyre nuk ka dhënë sqarim për integritetin e tyre akademik.

“Fatkeqësisht, ministrat shqiptarë të arsimit në Kosovë dhe Shqipëri janë autorë punimesh që përbëjnë plagjiaturë. Në krye të arsimit qëndrojnë Ramë Likaj dhe Evis Kushi të cilët janë akuzuar nga akterë të shoqërisë civile dhe media për plagjiaturë, ndërkaq asnjëherë nuk kanë sqaruar nga ana e tyre çështjen e integritetit të tyre akademik. Të pasurit në krye të arsimit plagjiatorë si Likaj e Kushi përbënë papërgjegjshmërinë më të madhe të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës,” ka thënë Gjinovci.

Kundër plagjiaturës të përbashkuar, Rron Gjinovci. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Tutje Gjinovci theksoi edhe vlerësimin nga PISA që i rendit këto vende në nivel jo të mirë global si dhe nivelin e ulët të punimeve shkencore nga këto vende.

“Testi PISA tregon se nxënësit nga Kosova dhe Shqipëria janë në mesataren e arritjes në nivel global. Përveç në shkenca ekzakte dhe në matematikë, edhe në të lexuar, nxënësit shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë janë nën mesatare. E kur jemi te arsimi i lartë dhe shkenca, Kosova dhe dhe Shqipëria kanë mesataren më të dobët të prodhimit shkencor në rajon. Madje edhe Mali i Zi me rreth 600 mijë banorë arrinë të prodhojë punime shkencore sa Shqipëria e Kosova bashkë,” ka shtuar tutje Gjinovci.

Gjinovci ka thënë se rinia e Kosovës dhe Shipqrisë duhet të bashkohen kundër çdo vjedhje, gënjeshtre dhe të marrë pozicion të qartë pro emancipimit shoqëror dhe kombëtar.

Sipas Gjinovcit bashkimi me flamuj e kostume super të shtrenjta nuk i duhet kombit shqiptar, pasi atyre u duhet bashkimi kundër korrupsionit, hajnisë, gënjeshtrave dhe plagjiaturës.

Kundër plagjiaturës të përbashkuar, ORCA. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Në qershor të këtij viti 13 organizata të shoqërisë civile kishin kërkuar nga Kryeministri Avdullah Hoti që në krye të arsimit të ketë njerëz me integritet e jo si Ministri Ramë Likaj, pasi sipas tyre ai nuk përfaqëson etikë akademike dhe profesionale për të qenë në krye të institucionit më të lartë të arsimit.

Këto deklarata atë kohë ministri Likaj i kishte quajtur “shpifje” të pabaza dhe të orkestruara për diskreditimin e tij duke shtuar se këto sulme janë kundër punës së tij të mirë.

“Shpifjet dhe shantazhe të tilla të orkestruara nuk më zmbrapsin nga përkushtimi dhe përgjegjësia ime në pozitën e re si Ministër, sikurse që nuk mund të cenojnë në asnjë moment punën time akademike. Puna ime dhe të arriturat akademike të kujtdo brenda janë subjekt i vlerësimit dhe aprovimit nga UPHP. Të gjitha publikimet e mia të cilave mund ti qaseni kurdo dhe nga të gjithë, nga platforma si Research Gate apo Google Schoolar, të gjitha me numër shumë të madh të citimeve, në platformat e njohura Scopus, Web of Science, DOAJ, EBSCO etj. Shpifjet si kjo kanë marrë përgjigje të prerë me vendimin e Këshillit të Etikës me Nr. 3/965 të datës 19.11.2019 dhe nga Këshilli i Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të datës 23.12.2019”, thuhej në reagimin e Likajt.

Ministri i Arsimit i quan shpifje akuzat për plagjiaturë