ORCA dërgon në Këshill të Etikës Bujar Dugollin dhe Ardian Kastratin

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) përmes një aksioni për para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, ka akuzuar për plagjiaturë dy profesorët e këtij Universiteti, Bujar Dugollin dhe Ardian Kastratin.

Kjo organizatë ka dorëzuar sot në Këshillin e Etikës të Universitetit të Prishtinës dosje siç thotë ajo, për të dokumentuar plagjiaturën e Dugollit dhe Kastratit.

“ORCA ka përgatitur një dosje me dëshmi të mjaftueshme për ta dokumentuar plagjiaturën e profesorëve dhe sot i është drejtuar Këshillit të Etikës të UP-së, organ ky që është përgjegjës për verifikimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të tilla të cilat cenojnë integritetit dhe ndershmërinë intelektuale të universitetit”, thotë ORCA.

Organizata pretendon se Dugolli e Kastrati kanë përdorur një punim me elemente të theksuara të plagjiaturës për t’u avancuar në grada akademike.

“Që nga momenti i denoncimit në qershor të këtij viti, ORCA kishte kërkuar nga organet udhëheqëse të Universitetit të Prishtinës të iniciojnë procedurat për verifikimin e këtyre dëshmive dhe si rrjedhojë të merren masa në përputhje me Rregulloren për Masa dhe Procedura Disiplinore”, thuhet në komunikatën e ORCA-së.

KALLXO.com ka kontaktuar me Buajr Dugollin i cili nuk ka pranuar të komentoj këtë aksion të ORCA-s.

“E kam dhënë deklaratën, sot është 1 tetori, nuk merrem unë me budallaki të Rron Gjinovcit, nuk kam se çfarë të komentoj. Sot e kam ditë pushim dhe pushim mjekësor plus është përvjetori i demonstratave, nuk dua të komentoj gjërat që i kam komentuar më parë”, tha ai për KALLXO.com.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe me Ardian Kastratin, por i njëjti deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka kthyer përgjigje.

ORCA akuzon për plagjiaturë profesorët Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati – Foto