ORCA akuzon Ujkan Bajrën për kompremetim të procesit të avancimeve, ai e mohon këtë

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) sot ka akuzuar kryetarin e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Ujkan Bajra, se është duke tentuar që ta kompremetojë procesin e avancimeve në këtë universitet.

Sipas ORCA-s, ai po mundohet që rastin e tij të mospranimit si profesor në UP në vitin 2018, përmes një vendimi të Inspektoratit të Punës, ta vërë në zbatim tani.

“ORCA e dënon ushtrimin e autoritetit të Kryetarit të Këshillit Drejtues të UP-së Ujkan Bajra, i cili po mundohet që rastin e tij  të mospranimit si profesor në UP nga konkursi i vitit 2018 ta kontrabandojë tash, 3 vite më vonë përmes Inspektoratit të Punës.  Së pari ORCA vë në dyshim këtë lëvizje të dyshimtë të Inspektoratit të Punës për trajtimin e një lënde ekskluzivisht akademike si rast të një punësimi klasik, për më tepër me 3 vite vonesë”, thuhet në reagimin e tyre.

ORCA ka shtuar se për këtë do të kërkojë përgjegjësi sapo të formohen institucionet e reja.

“Së dyti ORCA thekson se tentativa e personave në pozita drejtuese për t’u avancuar në kohën që mbajnë pozitat drejtuese është pamohueshëm konflikt i interesit. Asnjë person që mban pozita drejtuese, siç është ajo e anëtarit të Këshillit Drejtues në UP, nuk do të duhej të avancohet në pozita akademike”, thuhet më tej.

“Njerëzit në Kosovë duhet të mësohen të zgjedhin me kujdes vijën e karrierës së tyre. Ata që zgjedhin karrierën akademike duhet t’i përkushtohen asaj dhe vetëm asaj. Manovrat politike nuk do t’i ndihmojnë askujt për asgjë, për sa kohë ORCA monitoron proceset”, thuhet në reagimin e organizatës.

ORCA ka mbështetur rektoratin në refuzimin e trajtimit të rastit dhe i bën thirrje Senatit të UP-së që në çfarëdo situate ta refuzojë avancimin e Bajrajt “sikurse ka vepruar më parë me ministra e funksionarë të tjerë më të lartë shtetërorë”.

“Tentativa për ta komprometuar procesin e avancimeve të vitit 2018 nga kryesuesi i Këshillit Drejtues është dashakeqe për Universitetin. Në rrethana normale, një ministër normal do të duhej ta shkarkonte menjëherë personin në fjalë, por duke mos pritë që një gjë e tillë të ndodhë, ORCA siguron të gjithë të interesuarit për ta penguar reformën në UP, se një gjë e tillë nuk do të lejohet siç nuk është lejuar nga koha e Ibrahim Gashit e tutje, pavarësisht fuqisë politike që dikush mund ta ketë sot, përkohësisht”, është thënë në fund.

ORCA  i ka bërë thirrje Parlamentit Studentor dhe organizatave studentore për t’u përgatitur për një valë të re protestash ‘nëse të tilla ndërhyrje mundohen të bëhen nga të korruptuarit në largim’.

KALLXO.com ka kontaktuar kryetarin e Këshillit Drejtues të UP-së, Ujkan Bajra, i cili ka thënë se këto akuza të ORCA-s janë të pabaza.

“Këto akuza nuk qëndrojnë aspak. Ky proces është krejt tjetër, s’ka të bëjë aspak me këto pretendime të tyre dhe janë nxitje të pabaza”, tha ai për KALLXO.com.

Këshilli Drejtues i Universitetit është organi kryesor qeverisës i Universitetit. Ai  ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv institucional të Universitetit dhe është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare (buxheti, personeli, infrastruktura), në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të Universitetit në përputhje me obligimet e tij.

Këshilli Drejtues, kolektivisht, i raporton Ministrisë dhe është përgjegjës për shfrytëzimin e duhur e në mënyrë efektive të fondeve që Ministria ose ndonjë burim tjetër publik ia ka ndarë Universitetit.