ORCA: 55% e profesorëve të Universitetit Prizrenit s'kanë asnjë punim shkencor

Rreth 31 profesorë apo 55% profesorë të Universitetit Prizrenit nuk kanë asnjë punim shkencor.

Kjo është një nga të gjeturat e raportit të ORCA-s të titulluar “Integriteti Akademik dhe Publikimi Shkencor në Universitetin e Prizrenit”.

Sipas këtij raporti, e gjetur tjetër është se 64% e profesorëve të këtij universiteti nuk i justifikojnë titujt e tyre akademikë. Profesorët në këtë universitet kanë publikuar 55 punime në revista kredibile, ndërsa kanë botuar 120 punime në revista të dyshimta.

Rezultatet u publikuan në prani të rektorit, prorektorëve, dekanëve, prodekanëve, si dhe profesorëve të tjerë.

Sipas një njoftimi, shumica e pjesëmarrësve u pajtuan që të gjeturat nga hulumtimi janë shqetësuese dhe se mungesa e Integritetit Akademik paraqet një problem serioz në të cilën duhet të intervenohet menjëherë.

“Gjatë diskutimit u evidentua gatishmëri nga stafi dhe menaxhmenti i universitetit për të rritur publikimin shkencor në revista kredibile dhe për t’iu shmangur publikimeve në revista të dyshimta. Për më tepër, përfaqësuesit e stafit akademik u zotuan se do t’i përditësojnë CV-të dhe do t’i heqin publikimet në revista të dyshimta”, është thënë tutje.

Megjithatë, ORCA theksoi një dukuri pozitive për faktin se ndonëse profesorët e Universitetit të Prizrenit kanë publikuar shumë punime në revista të dyshimta, gjatë viteve 2018 dhe 2019 ka rënie drastike të publikimeve në revista të tilla.

Bashkëngjitur mund të gjeni edhe vegëzën e raportit:

ORCA po ashtu kishte publikuar edhe raportin për Universitetin e Pejës, ku kishte gjetur se 22 profesorë  në Universitetin e Pejës nuk kanë asnjë punim shkencor ndërsa 70 për qind e profesorëve nuk i justifikojnë titujt e tyre akademik.

Universiteti i Pejës, ‘çerdhe’ e PDK-së