Orban humb Budapestin dhe shumë qytete tjera në Hungari

Kandidati i opozitës, Gergely Karacsony, fitoi të dielën zgjedhjet për kryetar të Budapestit, duke mposhtur patinë në pushtet dhe duke dërguar një mesazh të fortë për qeverinë nacionaliste-populiste të kryeministrit Viktor Orban.

Partitë e opozitës gjithashtu fituan në qytete të tjera në zgjedhjet lokale.

Karacsony e quajti fitoren e tij “një shembull mbi demokracinë” pasi Istvan Tarlos i mbështetur nga Fidesz pranoi humbjen, njoftojnë mediat.

Me shumicën e votave të numëruara, Karacsony, 44 vjeçar, kishte mbështetjen e më shumë se 50 përqind të votuesve në kryeqytet, krahasuar me pak më shumë se 44 përqind për Tarlos, kryetarin e Budapestit që nga viti 2010.

Rezultatet paraprake treguan se Fidesz dominonte në zonat rurale, ku partia e Orban e njohur si “demokracia joliberale” gëzon ende popullaritet.

Ishte hera e parë që Fidesz ka humbur zgjedhjet që prej ardhjes në pushtet, nëntë vjet më parë, megjithëse kontrolli i partisë në pushtet mbetet i fortë me një super mazhorancë në parlament.

Opozita përfitoi nga një mbështetje në minutat e fundit për Karacsonyn, në Budapestin relativisht liberal dhe nga publikimi i një skandali seksual që prek kryetarin e një komune në perëndim të Hungarisë nga partia Fidesz.

Disa komentues e kanë krahasuar fitoren e Karacsony në Budapest me fitoren e garës për kryetar të Stambollit këtë verë, kur triumfi i koalicionit opozitar i dha një goditje pushtetit autoritar të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.