Orban fton Netanyahun në Hungari, sfidon liderët europianë pas urdhërarrestit

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, e ka ftuar më 22.11.2024 homologun Benjamin Netanyahu që ta vizitojë Hungarinë, por shumë shtete tjera europiane kanë thënë se kryeministri izraelit do të arrestohej nëse do të shkelte në tokën e vendeve të tyre pas urdhërarrestit që ka lëshuar të enjten Gjykata Ndërkombëtare Penale për të, ka raportuar Reuters.

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhërarrest për Netanyahun, ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, dhe liderin e “Hamasit”, Ibrahim Al-Masri, me dyshimin se kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në konfliktin në Gazë.

Reagime të ndryshme anembanë Europës kanë vënë në pah një sfidë të madhe politike dhe diplomatike të shkaktuar prej vendimit të GJNP-së, që nxiti reagime kundërshtuese në mesin e liderëve izraelitë dhe të Shtëpisë së Bardhë.

“Për ne europianët, ky urdhërarrest përbën një dilemë të vërtetë ndërmjet së drejtës ndërkombëtare, që është ligji ynë, dhe politikës tonë të jashtme, sidomos për ato shtete që po e mbështesin pa kushte Izraelin” – kanë shkruar analistët e “Eurointelligence” në një notë.

Duke e siguruar se nuk do të përballej me kurrfarë rreziku nëse do ta vizitonte Hungarinë, Orban e ka quajtur urdhërarrestin si një vendim “cinik dhe krejtësisht të papranueshëm”. Orban, i cili shpesh ka qëndrime krejtësisht të kundërta me të homologëve të BE-së, ka kultivuar marrëdhënie të ngrohta me Netanyahun.

“Sot do të ftoj kryeministrin e Izraelit, zotin Netanyahu, për një vizitë në Hungari dhe në atë ftesë do t’i garantoj atij se nëse ai vjen, vendimi i GJNP-së nuk do të ketë efekt në Hungari dhe ne nuk do të zbatojmë përmbajtjen e tij” – ka thënë Orban.

Të gjitha vendet e BE-së janë anëtare të GJNP-së dhe rrjedhimisht, kanë detyrimin të zbatojnë urdhrat e saj. Megjithatë, motorët e BE-së, Gjermania dhe Franca, nuk pranuan të thonë se çfarë do të bënin nëse lideri izraelit do të hynte në territorin e tyre, ndërsa Britania e Madhe, që nuk është anëtare e BE-së, por anëtare e GJNP-së ishte po ashtu e kujdesshme në përgjigjen e saj.

GJNP-ja, e cila nuk ka forcat e saj policore për të kryer arrestimet, ka vetëm mjete të kufizuara diplomatike për t’i detyruar vendet të veprojnë nëse nuk duan.

Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com