Orav takohet me Kurtin, rithekson mbështetjen e BE-së për Kosovën
Shefi i ri i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovës, Aivo Orav është pritur në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 05.09.2024.
Sipas një njoftimi, ambasadori ka ritheksuar mbështetjen e unionit europian për rrugën e Kosovës në BE dhe reformat në lidhje me BE-në.
“Ambasadori ynë u takua sot me kryeministrin Albin Kurti për të ritheksuar mbështetjen e fuqishme të BE-së për rrugën e Kosovës në BE dhe reformat në lidhje me BE-në. Ai shprehu gatishmërinë për të punuar ngushtë me institucionet e Kosovës për avancimin e marrëdhënieve BE-Kosovë”- thuhet në njoftim.
Shefi i ri i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Aivo Orav ka marrë detyrën më 01.09.2024 për një periudhë fillestare prej dy vitesh. Këtë mandat paraprakisht e ka pasur Tomas Szunyog, i cili ka qenë si ambasador i BE-së në Kosovë nga viti 2020.
Ambasadori i ri ka përvojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi më herët ka shërbyer si shef i delegacionit të bllokut evropian në Maqedoninë e Veriut nga viti 2012 deri më 2016 dhe në Mal të Zi, nga viti 2016 deri më 2020.
Nga Këshilli Europian kanë thënë se Orav do të luajë një rol udhëheqës në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, paqësore, demokratike dhe multietnike e cila bashkëpunon me rajonin.