Ilustrim
Orari i mësimit, prindërit e një klase në shkollën ‘Dardania’ në Prishtinë paralajmërojnë bojkot
Prindërit e nxënësve të klasës II/4 në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë, kanë vendosur të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë nga e hëna (16.09.2024), sipas tyre, për shkak të orarit të papërshtatshëm.
Përmes një njoftimi, prindërit kanë kanë shprehur “shqetësimin e thellë” lidhur me orarin e propozuar, nga ora 15:00 deri në 18:25.
Ndërsa kanë theksuar se greva do zgjasë derisa të iu ofrohet një orar më i përshtatshëm për fëmijët.
“Ky orar është tejet i papërshtatshëm për fëmijët tanë të vegjël, pasi çrregullon tërësisht dinamikën e tyre ditore. Shumë prej nesh, si prindër që punojnë, i dërgojmë fëmijët në qëndrim ditor nga ora 07:30 e mëngjesit, dhe ky orar i ri do të thotë se ne mund t’i marrim fëmijët vetëm rreth orës 19:00 pasdite”- thuhet në njoftim.
Ndërsa tutje thuhet se sipas tyre, ky orar për nxënës të moshës 7-8 vjeç nuk e merr parasysh interesin më të mirë të fëmijëve.
Sipas tyre, një orar i tillë mund të jetë i pranueshëm në situata të jashtëzakonshme, “Kosova dhe sistemi ynë arsimor nuk po kalojnë nëpër ndonjë periudhë të tillë.”
Besarta Rrahmani, kryetare e Grupit të Prindërve, ka thënë për KALLXO.com se për ketë çështje kanë dërguar ankesë në Drejtori të shkollës dhe në Drejtorinë Komunale të Arsimit(DKA).
“Nga këshilli i ciklit të ulët kemi marrë një përgjigje që shkolla deri në nëntor (2024) nuk do të përfundojë renovimet. Por në lidhje me orarin si shqetësim i joni nuk kemi marrë përgjigje”- ka thënë ajo.
KALLXO.com ka kërkuar informacione edhe nga drejtori i shkollës, Besim Gashi, i cili ka thënë ky orar është vendosur për shkak se shkolla është në renovim.
Sa i përket grevës, Gashi tha se vetëm një prind individualisht ka kërkuar bojkotimin e mësimit.
“Jemi në renovim, edhe një muaj apo një muaj e gjysmë çdo gjë do të stabilizohet, ato klasa që janë tash në orarin e orës 15:00 vitin e kaluar kanë qenë prej orës 11:00 dhe disa klasa tjera kanë qenë prej orës 15:00 në shkollën “Xhemajl Mustafa”, ku janë zhvendosur për shkak të renovimit, andaj e kemi përdor një drejtësi të themi. Është një prind individualisht që ka bërë shkesë në media por do të ja lemë kohës, do ta shohim nesër se çka do të ndodh”- ka thënë ai.
Ai tha se deri në nëntor 2024 pritet të përfundojnë renovimet dhe mësimi të zhvillohet në dy ndërrime.
“Pjesa e rinovuar e shkollës ‘Dardania’ është ndër më të mirat në Kosovë. Sa i përket renovimit pjesa e objektit pritet të përfundojë deri në nëntor dhe mësimi të zhvillohet pastaj në dy ndërrime. Drejtori është për nxenësit këtu dhe do të bëjë më të mirën e mundshme, por pjesa e renovimit është normale dhe zgjatë”- u përgjigj ai.