Foto: Ilustrim

Oranizata “Mëshqerra”: Nuk ka asnjë shkelje në donacionin e 35 lopëve

Organizata për Zhvillim Rural “Mëshqerra” ka reaguar pas fillimit të hetimeve nga Prokuroria në Gjilan për donacionin e lopëve për fermerët e Gjilanit.

Donacioni i ndarë nga kjo organizatë dhe komuna, kap vlerën e 100 mijë eurove.

Florentina Kida Gërguri, drejtoreshë e organizatës ka thënë që nuk ka asnjë keqpërdorim në këtë projekt, dhe raportimet për të cilat e kanë vënë në pikëpyetje çmimin për krerë lope, janë të pasakta.

“Projekti është realizuar në harmoni të plotë me marrëveshjen e bashkëpunimit nr.1138 të datës 20.11.2019, në mes të OZHR “Mëshqerra” dhe Komunës së Gjilanit dhe këtu nuk ka asnjë shkelje. Projekti do të zgjas nga viti 2019 deri 2021 dhe vlera totale e tij është 101,500.00 €”, thuhet në reagim.

“Kemi nënshkruar kontrata individuale me secilin fermerë përfitues, ku në mënyrë të detajuar shënohen obligimet dhe përgjegjësit e secilës palë. OZhR “Mëshqerra” gjatë kësaj periudhe do të zbatojë projektin me fermerët dhe do të sigurojë asistencë teknike për ta”, thuhet tutje në reagim.

Tutje organizata “Mëshqerra” ka thënë se gjatë realizimit të këtij projekti do të përgatisë raporte për donatorin, Komunën dhe opinionin publik.

Dje Prokuroria në Gjilan ka filluar hetime për donacionin e 100 mijë eurove nga i cili të premten fermerëve të Gjilanit iu ndanë 35 krerë lopë.