Ora e Donjetës në Prishtinën e akrepave të ndalur
Nga fëmijëria në dyqanin orëndreqës të familjes së saj, Donjeta Sahatçiut do t’i duhet llupë e madhe, kaçavidë më e rëndë dhe nerva për t’u përballur me kaosin e qytetit të saj të lindjes, në të cilin ajo shërben si nënkryetare nga 2 shkurti.
Ndërtimet e mbindërtimet pa leje, kaosi në trafik e deri të rrugët të mbushura me gropa janë veç disa prej problemeve që kryeqytetasit presin zgjidhje.
Me një prapavijë apolitike, si 22-vjeçare ka punuar në ekipin zgjedhor të Shpend Ahmetit, ish-profesorit të saj, por duke mosvazhduar më tej në rrugëtimin e tij politik në drejtimin e Prishtinës.
Andaj, prezantimi i Donjeta Sahatçiut si numri dy i Komunës së Prishtinës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë befasues.
Ndonëse nuk është bërë publike se në çfarë pike u pajtuan e cilat presje i larguan për t’u dakorduar, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) zyrtarizoi koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës për të qeverisur për një mandat 4-vjeçar.
Në bazë të marrëveshjes, PDK-ja ka marrë pozitën e nënkryetares së komunës dhe katër drejtori.
PDK-së i takojnë Drejtoria e Shërbimeve Publike, Drejtoria e Arsimit, Drejtoria e Bujqësisë dhe Drejtoria e Kulturës, por që për dikasterin e fundit nuk është vendosur ende askush në krye të saj.
Bagazhi i nënkryetarës së Komunës së Prishtinës tregon se për shumë vjet ka qenë e angazhuar kryesisht në sferën e menaxhimit, teknologjisë, komunikimit strategjik dhe ngritjen e kapaciteteve.
Në 10 vitet e fundit, Sahatçiu ka udhëhequr kompaninë “Rrota”, një ndër kompanitë lidere në Kosovë për teknologji dhe komunikim digjital, në rolin e drejtoreshës ekzekutive dhe si bashkëpronare.
Sahatçiu ka studiuar për menaxhim, ekonomi dhe politika publike në RIT Kosovo, ku edhe është përzgjedhur studente e gjeneratës (2012), dhe menaxhim e administrim biznesi (eMBA) në Sheffield University.
Për shumë vjet me radhë, Sahatçiu ka qenë promotore e digjitalizimit, rritjes së cilësisë në arsim dhe qasjes së të rinjve në tregun e punës. Ajo është mentoruese e ekipeve të reja start-up dhe bizneseve në rritje. Si konsulente e çertifikuar në transformimin digjital ka ndihmuar edhe në fuqizimin e grave në fushën e teknologjisë.
Sahatçiu gjithashtu është zgjedhur dhe ka shërbyer vullnetarisht në misionin e disa organizatave. Ajo ka qenë kryetare e Bordit në STIKK (Shoqata e Informacionit dhe Teknologjisë në Kosovë) në dy mandate; kryetare e Bordit në VentureUP (Qendra e Inovacionit në Universitetin e Prishtinës) në dy mandate; anëtare e Bordit në Universitetin Amerikan në Kosovë (RIT Kosovo) në dy mandate dhe anëtare e Bordit në Këshillin e Konsulentëve të Kosovës (BCC) për një mandat.
Sonte në #KallxoPernime, me fillim prej orës 22:15, do të transmetohet intervista me nënkryetaren e komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu.
Ajo në intervistë jep përgjigje se si u arrit koalicioni LDK-PDK në Prishtinë, cilat janë kushtet e këtij koalicioni, cilat janë ngjashmëritë e cilat janë dallimet në programet e këtyre dy partive, cili është vizioni që PDK do ta ketë në qeverisjen e kryeqytetit dhe çështje të tjera.