Opozita tërhiqet nga procesi i përzgjedhjes së Komisionerit për Privatësi

Në procesin për përzgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, në mbledhjen e Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, disa nga anëtarët e këtij komisioni kanë hequr dorë nga pjesëmarrja në panel në Komisionin për përzgjedhjen e Komisionerit të kësaj agjencie.

Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes ka arritur në mos pajtim sa i përket formimit të panelit intervistues për procesin e rekrutimit për këtë pozitë.

Mosmarrëveshja ka ardhur për shkak të kërkesës së anëtarëve të këtij Komisioni nga radhët e partisë Vetëvendosje, të cilët kanë kërkuar që të gjithë anëtarët e këtij Komisioni të përfshihen në panelin vlerësues, ndërsa kërkesat e anëtarëve të tjerë të Komisionit nga radhët e partive të tjera ka qenë që të shkohet me nga një përfaqësues nga secila parti.

Pas shumë diskutimesh, si duket këto mospajtime nuk kanë arritur të evitohen, prandaj në mbledhjen e sotme të thirrur nga kryetari i këtij Komisioni, Bekë Berisha, u kumtua lajmi që ai dhe anëtarët e tjerë të Komisionit nga radhët e partive të tjera do ta bojkotojnë pjesëmarrjen në panelin vlerësues për këtë proces të rekrutimit.

“Ne e dimë, e dini edhe ju që ne për këtë çështje kemi debatuar dhe kemi marrë vendim në mbledhjen e Komisionit që të shpallet fillimisht konkursi, dhe për përbërjen e panelit është hedhur në votim dhe ne kemi vendosur që të gjithë të jemi në panel… ne po themi se jemi të interesuar ta shtyjmë këtë proces sepse është i stërvonuar… jemi të pajtimit që te vazhdojmë të respektohet vendimin që është marrë që të jemi në panel të gjithë anëtarët e komisionit”, deklaroi zëvendëskryetari i Komisionit, Enver Dugolli, i cili njëherësh është deputet nga radhët e partisë Vetëvendosje.

Lidhur me këtë çështje u deklarua edhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës – PDK, Elmi Reçica, i cili tha se ndonëse mandatin e kaluar kanë qenë në pushtet kjo parti asnjëherë nuk i ka ndërruar praktikat e mëhershme, prandaj kërkoi që edhe në këtë rast të veprohet njësoj.

“Ne përsëri po rikthemi tek një çështje që e kemi diskutuar sa herë dhe qëndrimet janë të qarta, po dua ta diskutoj edhe një herë, Komisionet nuk funksionojnë si seancat… Ne nuk i kemi ndërruar rregullat edhe pse mandatin e kaluar kemi qenë në pushtet, kështu i kemi gjetur rregullat dhe ju jemi përmbajtur”, tha Reçica.

Edhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës – LDK, Anton Quni nuk u pajtua që në panel vlerësues të marrin pjesë të gjithë anëtarët e Komisionit, ai tha se një gjë e tillë do të shpiente në përzgjedhjen e kandidatit i cili do të konsiderohej që është i zgjedhur me përfaqësim disproporcional.

“Ky është takimi i tretë i radhës që po e diskutojmë këtë çështje, mendova që kolegët e mijë nga Vetëvendosja do të jenë më bashkëpunues, prandaj po ashtu edhe unë do t`i përmbahem atyre qëndrimeve që i kisha herët e kaluara. Nëse ne i ndërrojmë praktikat atëherë Komisionerin po e zgjedhim me përfaqësim disproporcional”, tha Quni.

Duke mos arritur në mirëkuptim me njëri tjetrin, kryetari i Komisionit Bekë Berisha e mbylli mbledhjen, duke i sugjeruar anëtarët e tjerë të Komisionit se ndonëse ai së bashku me disa anëtarë e bojkotojnë pjesëmarrjen në këtë panel, anëtarët e mbetur kanë kuorum dhe mund të vazhdojnë më tutje me procedurat për përzgjedhjen e Komisionerit.

“Qëndrimet janë të qarta po me vjen keq që s’po mund të mbërrijmë në konsensus dhe miratim duke insistu që Vetëvendosja me pas pesë anëtar në intervistim kjo si rrjedhojë ka me pru kapjen dhe me bo përzgjedhjen vetë edhe unë si kryetar nuk e shoh vetën në këtë panel që është i komprometuar dhe nuk du me iu bo argat një partie që don me u bo shtet unë nuk i boj argat ksaj se këtu po lëndohet demokracia, unë do ta mbylli këtë mbledhje jo me ju ndal juve sepse e keni mundësinë me e thirr takimin e  radhës sepse keni kuorum”, tha kryetari i Komisionit Bekë Berisha i cili më pas së bashku me anëtarët e tjerë të Komisionit nga partitë e tjerë e lëshuan mbledhjen.

Më pas anëtarët e tjerë të Komisionit nga radhët e Vetëvendosjes u pajtuan që shumë shpejtë ta thërrasin mbledhjen tjetër, në mënyrë që të procedojnë tutje me këtë proces të rekrutimit, pasi që kanë kuorum për të vazhduar më tej edhe pa përkrahjen e deputetëve të opozitës.

Kujtojmë se deri më tani tre herë me radhë ka dështuar votimi i kandidatëve të përzgjedhur nga Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes për Komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Kuvendi i Kosovës as për të tretën herë radhazi nuk kishte arritur të emëroj Komisionerin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Në seancën e datës 14 gusht, as pas dy raundesh votimi Kuvendi nuk arriti të emëroj Komisionerin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Ky konkurs ishte anuluar tri herë.

Fillimisht ky konkurs kishte dështuar herën e parë në maj të vitit 2019 e më pas edhe në tentativën e dytë në korrik të vitit 2019.

Rreth përzgjedhjes së Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi kishte pasur shumë reagime në publik.

Lidhur me këtë konkurs kishin reaguar edhe disa organizata të shoqërisë civile të cilat në maj të vitit të kaluar i kishin kërkuar komisionit anulimin e konkursit nën dyshimet se disa nga kandidatët që kishin aplikuar kanë lidhje politike,  sipas tyre emërimi i ndonjërit prej tyre do të mund të rrezikonte fondet e Bashkimit Evropian të dedikuara për Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Përpos organizatave të shoqërisë civile edhe Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Ambasada Britanike kishin dhënë rekomandim për anulimin e këtij procesi.

Por ndonëse herën e parë Ambasada Britanike vetë kishte dhënë rekomandimin për anulimin e këtij procesi me arsyetimin se sipas tyre asnjë nga kandidatët nuk kishte qenë i emrueshëm, për herën e tretë, ekspertët britanik të BDO-së kanë dhënë rekomandimin për emërimin e dy kandidatëve.

Por edhe përkundër rekomandimeve të Ambasadës Britanike, Kuvendi i Kosovës edhe për të tretën herë radhazi kishte dështuar në përzgjedhjen e Komisionerit për Informim dhe Privatësi.

Dështimi i konkursit për të tretën herë radhazi bëri që Ambasada Britanike të reagojë dhe të shprehë zhgënjim për dështimin e konkursit.

Madje me këtë rast, Ambasada Britanike kishte njoftuar se ekspertët britanik të BDO-së janë tërhequr nga procesi i rekrutimit për këtë pozitë.

Ambasada në reagim kishte thënë se nuk do t’i çojnë poshtë paratë e tatimpaguesve britanikë në proceset e përsëritura që ishin transparente dhe të zhvilluara me rregull, dhe që nxorën kandidatë që i plotësojnë kushtet për emërim.