Foto: Facebook

Opozita synon shkarkimin e kryesuesit të Asamblesë në Prizren

Largimi i Nismës Socialdemokratike nga koalicioni në Prizren ka bërë që Mytaher Haskuka të humb shumicën në Asamble Komunale.

Nisma ishte larguar në shenjë proteste ndaj vendimit të kryetarit të Komunës së Prizrenit për shkarkimin i drejtorit të Arsimit Gan Gërmizaj, i cili vjen nga partia Nisma, kjo për dyshimet në parregullsi dhe shkelje ligjore në konkursin për mësimdhënës në Prizren.

Asamblisti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, asamblisti i AAK-së, Ilir Baldedaj ka ftuar Nisma që t’iu bashkohet në opozitë dhe bashkë me PDK-në të shkarkojnë Kryesuesin e Asamblesë, Artan Abrashi.

Baldedaj ka thënë se Haskuka më nuk e ka shumicën në Asamble. Baldedaj është akuzuar nga Prokuroria e Shtetit për kohën kur ushtronte detyrën e drejtorit të Administratës, gjatë qeverisjes së Ramadan Mujës. Aktakuza është ngritur pas një hulumtimi të publikuar në KALLXO.com për mos-kthim të laptopëve.

Lidhur me propozimin për shkarkimin e kryesuesit Abrashi ka reaguar edhe ish – deputeti nga radhët e Vetëvendosjes që vjen nga Prizreni, Arbër Rexha. Ka thënë se po tentohet që të shkarkohet një profil politik i papërlyer e i pa korruptuar.

Kallxo.com ka raportuar se kryesuesi i Asamblesë Komunale Artan Abrashi është njëri ndër politikanët më modest sa i përket pasurisë.