Opozita proteston në Tiranë

Në Tiranë ka nisur protesta e opozitës kundër krizës ekonomike, varfërisë, dhe keqqeverisjes socialiste, sipas drejtuesve të saj.

Tubimi është thirrur nga ish presidentët Ilir Meta dhe Sali Berisha, aktualisht drejtues  të PL-së dhe PD—së, derisa Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se protestat e opozitës janë pjesë e ndikimeve ruse në Ballkan.

Sali Berisha dhe Ilir Meta i’u drejtuan protestuesve për t’u bashkuar në bulevardin dëshmorët e Kombit për një protestë paqësore kundër qeverisë Rama.

Detaje nga organizimi janë mbajtur të fshehta, por gazetarja Elda Menga mëson se do të jenë rreth 20 folës, shumica nga shoqëria civile që do të marrin fjalën e tyre në podium. Peshën kryesore të fjalës do ta kenë dy liderët e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, Sali Berisha e Ilir Meta.

Protestuesit mbajnë në duar flamurin amerikan, ndërsa protesta është planifikuar të përcjellë disa mesazhe kundër qeverisë, korrupsionit dhe vështirësimit të jetës për shkak të krizës.

Gjatë ditës, disa protestues janë parë teksa kanë ngjitur pankarta me foton e kryeministrit Edi Rama në tabelën e sinjalistikës rrugore në kryeqytet.

Ndërkohë, policia po rreshtohet në mbrojtje të institucioneve ndërsa Kryeministrisë i janë vendosur dyert e hekurta.

Opozita ka dy orë leje për të protestuar, por organizatorët shprehen se do të jenë në shesh për sa kohë aty do të ketë protestues. Top-Channel