Ilustrim

Opozita pretendon që gjatë sesionit vjeshtor t'i bind qytetarët për një "qeveri ndryshe"

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës pretendojnë ta shfrytëzojnë sesionin vjeshtor të punës për t’i bindur qytetarët për të votuar për një qeveri ndryshe nga kjo e tanishme gjatë zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen me 09.02.2025.

Këto synime u shpërfaqen pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, më 09.09.2024.

Abelard Tahiri nga Partia Demokratike Kosovës tha se si grup parlamentar i PDK-së do të angazhohen që t’i përmbyllin punët që i ndihmojnë sadopak Kosovës.

“Komplet angazhimi ynë do të shkojë që vendit t’i japim një Qeveri të re. Në këtë kohë që jemi, në këtë kohë të përplasjeve me miqtë tanë, me bllokimin e vendit në të gjitha fushat, shihet se në këto tri vite e gjysmë është bërë shumë pak” – tha Tahiri.

Sipas tij, në cilindo aspekt, Qeveria ka ngecje e stagnim. Andaj, siç ka thënë ai, çka nuk është bërë për tre vjet e gjysmë, nuk kërkojnë që të bëhet për tre muaj apo sado kohë që i ka mbetur legjislaturës aktuale.

“Do punojmë që vendit t’ia japim një Qeveri të re” – tha Tahiri.

Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës përkujtoi se sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, ata i kanë votuar ato.

“Sa i përket për shëndetin riprodhues e dini që është në vullnetin e Grupit parlamentar të PDK-së a duan apo nuk duan ta votojnë” – tha Tahiri.

I njëjti shtoi se sipas tij ka një numër të komisioneve hetimore që presim themelimin.

“Ne do të diskutojmë se si do sillemi karshi këtyre komisioneve e do ta diskutojmë me grupin se si do sillemi karshi kësaj periudhe që është shumë e shkurtër” – shtoi ai.

“Ditën e enjte, Kryesia vendosi që do të ketë seancë të re vjeshtore” – vazhdoi i njëjti.

Tahiri tha se sa i përket raporteve me miqtë, Kosova që “prej shpalljes së pavarësisë nuk ka qenë në pozitë më të pavolitshme se tash”.

“Kemi ardhë deri në pikën që po nxirret Serbia si me qenë në anën e duhur. Vendit i duhet një qeveri e re që e nxjerrë Kosovën nga izolimi” – tha deputeti i PDK-së.

Madje ai shtoi se asnjë vend në Bashkimi Europian nuk nënshkruan marrëveshje me Kosovën pasi vendi është nën sanksione.

“Kjo gjendje nuk duhet të vazhdojë. Kjo përfundon vetëm kur vendi ka një qeveri të re” – theksoi Tahiri.

Në anën tjetër, Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se legjislatura aktuale me këtë qeverisje mund të konsiderohet si më e dobëta në aspektin e vendimmarrjes e në aspektin e përfaqësimit.

“Pra mund te themi se në aspektin e fushëveprimit të vet, si rezultat i dominimin të LVV-së, janë paaftësu. Pra për keqardhje katër vite të parlamentarizmit janë katër vitet më të dështuara” – theksoi Gashi.

I njëjti shtoi se këto tre muaj e gjysmë do të angazhohen që t’i bindin qytetarët për atë se cka ka ndodhë këto katër vjet.

“Është periudhë e rëndësishme që fillon nga sot deri më 31 dhjetor, kur do jetë dita e fundit e kësaj legjislature” – tha Gashi.

Ndërsa Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se marrëveshjet ndërkombëtare kurrë nuk kanë qenë problem, por sipas tij ka qenë menaxhimi.

“Ne do të vazhdojmë angazhimin tonë që të shtyjmë përpara konceptin e Ligjit të pagave” – theksoi Tahiri.

Ai gjithashtu tha se kjo Qeveri është ardhë “me kthy shpresën” te qytetarët.

“Për katër vjet nuk e kemi asnjë njohje e anëtarësim” – tha deputeti i AAK-së.

Ai shtoi se janë optimist që në këta tre muaj do të shpërfaqin dhe do ju tregojnë qytetarëve që vota e tyre për shpresën ishte poshtërimi më i madh në historinë e Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar 9 shkurtin 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Me këtë rast, ajo ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizmin e këtyre zgjedhjeve.