Opozita nuk merr pjesë në vazhdimin e seancës

Kuvendi i Kosovës ka nisur punimet në sesionin e pasdites. Në seancë nuk është kthyer opozita. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri, ka paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës në ora 14:00.

Gjatë ditës së sotme, në Kuvendin e Kosovës kishte eskaluar situata mes subjekteve në pozitë dhe atyre opozitare.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike paraditen e punimeve plenare e lëshuan sallën e Kuvendit.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci ishte përfshirë në diskutime me shefin e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Kurse, deputeti Gashi tha se modeli i kërcënimit të deputetëve, nuk funksionon.

Kurse, Abelard Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të  PDK-së u fjalos me ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla lidhur me Gjykatën Speciale.

Seanca e Kuvendit po vazhdon me pikën e 5-të të rendit të ditës, shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në lidhje me kërkesën e NP KOSTT për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

Ndërsa, pika 4 e rendit të ditës është shtyrë në mungesë të iniciuesit të debatit.