Opozita nuk e votoi një marrëveshje ndërkombëtare, LVV thotë se po humbasin qytetarët

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje e kanë cilësuar të paprecedent mosvotimin e shqyrtimit të projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë” nga ana e opozitës.

Sipas deputetit të kësaj partie, Armend Muja një gjë e tillë ka ndodhur për herë të parë në historinë e parlamentit të Kosovës.

“Për herë të parë është refuzuar një marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore për reformën e skemave sociale”, ka thënë Muja.

Sipas Mujës, kjo marrëveshje është parë jetike nga LVV dhe Qeveria Kurti, për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet vendi.

“E kemi pa jetike për me i ndihmu 318 mijë qytetarë ose përfitueseve të drejtpërdrejtë nga të cilët 25 mijë përfitues aktual të skemave sociale”, tha Muja.

Sipas tij, opozita vazhdimisht ka kritika që ka krizë dhe qeveria nuk po bënë asgjë, por thotë se çdo përpjekje që ka pasur qeveria është bllokuar nga opozita.

“Mirë u krijuan komisionet hetimore, cila është tash arsyeja? Arsyeja e dytë, po thonë diçka konsulencë por nuk po munden me dhanë një arsye të veçantë”, ka thënë Muja duke shtuar “Këta janë mësu që me marr kredi veç për supermarkete dhe pompa të benzinës ndërkohë që ne dhe koncepti ynë i asistencës sociale fokusohet tek ato grupe që kanë më së shumti nevojë”.

Në anën tjetër, Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Mulhaxha Kollçaku ka thënë se është befasuar për keq me votat kundër të opozitës.

“Sot kur dëgjohet nga shefat e grupeve parlamentare që nuk do të votohet kjo marrëveshje edhe nëse sjellet prapë në kuvend, është jo vetëm dëshpëruese, por unë mendoj që qytetarët tashmë e kanë të qartë se shumë nga deputetet nuk punojnë në të mirën e tyre”, ka thënë ajo.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputetët kanë votuar pro tre marrëveshjeve ndërkombëtare dhe një prej tyre nuk ka kaluar.

Me 86 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit kanë miratuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare.

Deputetët e Kuvendit gjithashtu kanë dhënë 85 vota për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e zhvillimit të impiantit të ujërave të zeza në Mitrovicë.

Po ashtu me 86 deputetë për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Mitrovicë.

Ndërkaq tek shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë, disa prej deputetëve nuk e kanë mbështetur këtë pikë.

Me 63 vota për, 24 kundër dhe asnjë abstenim, kjo marrëveshje nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës.