Opozita: Nuk do të votojmë në Kuvend deri në formimin e komisionit hetimor

Partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës sot kanë shprehur qëndrimet e tyre për pjesëmarrje në aktivitetet e Kuvendit.

AAK dhe PDK kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në proces të votimit as në komisione parlamentare e as në seancë të Kuvendit pa u formuar Komisioni Hetimor Parlamentar për energjinë.

Kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka theksuar se vendimi i tyre si parti është që të mos marrin pjesë në votime deri në formimin e komisionit hetimor.

“Për këtë çështje është vendim politik i grupit tonë parlamentar, ne nuk votojmë përderisa nuk ka një vendim me mbështetë komisionin hetimor. Nuk votojmë as komisione, as në seancë sepse e shohim një precedentë të keq”, ka deklaruar Tahiri.

Qëndrimet e njëjta i ka edhe kreu i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri i cili tha se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim duke përfshirë edhe komisionet dhe seancën në Kuvend.

“Ne e kemi thënë që nga ajo ditë, nuk marrim pjesë në asnjë votim. Qoftë në komision, qoftë në seancë parlamentare pa u përfundu dhe pa u themelu komisioni hetimor parlamentar për hetimin e shpenzimit të 100 milionë eurove në blerjen e energjisë elektrike dhe punësimeve në KEK”, ka thënë Tahiri.

“Mbasi që të themelohet ky komision për zbardhjen e të vërtetave, e që ne pretendojmë që ka keqpërdorime të mëdha dhe ato të dalin në dritë, pastaj në momentin e themelimit të këtij komisioni do të marrim pjesë në votime edhe të marrëveshjeve ndërkombëtare, ligjeve dhe komisioneve “, shtoi ai.

Tutje, ai sqaroi se mospjesëmarrja e opozitës në votime është dakordim i grupeve parlamentare të tyre.

“Ne do të marrim pjesë, por nuk do të votojmë. Ky është dakordim i të gjitha grupeve parlamentare të opozitës”, ka theksuar Tahiri.

Në anën tjetër, gjatë ditës së djeshme dështoi të mbahej Komisioni për Integrim Evropian, pasi deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së refuzuan pjesëmarrjen në mbledhje.

Kryetarja e komisionit Rrezarta Krasniqi nga LDK kishte mbyllur punën e komisionit.

“Edhe në si LDK i kemi dhënë qëndrimin tonë dje. Sot nuk kemi vendimmarrje me vazhdu këtë mbledhje dhe shihemi në takimin e radhës”, tha ajo.

Hulumtuesja dhe njohësja e punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Agnesa Haxhiu vlerëson se përplasjet e fundit në Kuvendin e Kosovës dhe bojkoti opozitar, e dëmtojnë jetën parlamentare.

“Përplasjet e fundit mes shumicës parlamentare dhe opozitës, e cila rezultoi në bojkotim të punimeve të Kuvendit nga ana e opozitës, mendoj qe e dëmton jetën parlamentare dhe konsensusin e përgjithshëm që ka ekzistuar tash e një vit mes shumicës parlamentare dhe opozitës”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

Haxhiu tutje ka theksuar se shumicës parlamentare i duhet përkrahja me votë e opozitës dhe kësisoj duhet hapur rrugë formimit të komisionit hetimor.

“Ndonëse në aspekt procedural, shumica parlamentare ka të drejtë, mendoj që i takon asaj t’i hapë rrugë formimit të atij Komisioni hetimor, sepse pa përkrahjen e opozitës nuk ka mundësi t’i shtyj përpara çështjet që kërkojnë 2/3 e votave siç ishte rasti i marrëveshjeve ndërkombëtare”, shtoi ajo.

Bojkotimi i votimeve në legjislativ u vendos nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pasi të martën në seancën e Kuvendit nuk u arrit që në rend të ditës të përfshihet formimi i Komisionit hetimor.

Për këtë mocion procedural votuan vetëm 33 deputetë, gjë që nuk siguroi kuorumin e mjaftueshëm për kërkesën opozitare.

Bojkoti i opozitës dhe ndikimi në punën parlamentare