Komuna e Vushtrrise

Opozita në Vushtrri i bën thirrje prokurorisë të hetojë dyshimet se në Kuvendin Komunal u votua në vend të asamblistëve të PDK-së  që nuk ishin në sallë

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë të mbajtur më 27 tetor 2022 dyshohet se në pikën e rendit të ditës për ndërtimin e lapidarit në fshatin Pasomë është votuar në vend të dy asamblistëve të cilët nuk kanë qenë në sallë.

videon e publikuar nga KALLXO.com, shihet nënkryetari i Komunës, Shpëtim Zhegrova nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i cili i thotë Nurije Halilit, asambliste që të votoj në emër të Arlind Gogollit, asamblist nga PDK po ashtu.

“Voto të Arlindit. Voto, veç voto të Arlindit. Bonja plus. Voto, voto bre. Voto për. Bonja plus”- thotë Zhegrova.

Për këtë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, parti opozitare në Vushtrri kanë kërkur nga organet e drejtësisë të hetojnë rastin.

Në reagimin e LDK-së thuhet se do të paraqesin kallëzim penal për këtë rast.

“LDK do të paraqesë kallëzim penal në bazë të ligjit për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar ndaj personave të përfshirë. Po ashtu ftojmë prokurorinë që urgjent të siguroj provat, si videoincizimi i seancës, procesverbalet e votimit, pasiqë ato po tentohen të zhduken si prova nga njerëzit e përfshirë. Tashmë e kanë fshirë nga faqja e internetit videon e transmetimit live të seancës e kjo do të duhej të ishte e mjaftueshme për prokurorinë e policinë të intervenojnë në Komunë me urgjencë”- thuhet në reagim.

Ndërsa LVV i ka bërë thirrje për veprime edhe Ministrisë së Administratës së Pushtetit Lokal.

“Ne i bëjmë thirrje organeve të hetuesisë të fillojnë procedurat hetimore ndaj secilit zyrtarë të përfshirë në këtë rast dhe MAPL-së të veproj mbi parimin e ligjshmërisë. Nuk ka kuptim drejtësia nëse një komisioner i KQZ-së dënohet për një mosperputhje të vogël rezultati në procesin zgjedhor, e në Kuvend Komunal të Vushtrrisë “mbushet kutia” duke votuar për persona që nuk janë prezent në seancë dhe të mos merret as një masë ndaj tyre”- thuhet në reagimin e degës së LVV-së në Vushtrri.

KALLXO.com që nga e premtja ka dërguar pyetje në MAPL në lidhje me dyshimet për votim, por që ende nuk ka pranuar përgjigje.

Poashtu KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me kryetarin e Komunës, Ferit Idrizi por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm dhe prokurorinë dhe është në pritje të përgjigjes.

Seanca e 27 tetorit ishte transmetuar drejtpërdrejt në faqen zyrtare të Facebook-ut të Komunës së Vushtrrisë, por pastaj një pjesë e seancës nuk është gjetur në të njëjtën faqe.

Bujar Shatrolli pjesë e stafit të kryetarit, Ferit Idrizi në lidhje me publikimin jo të plotë të seancës së Kuvendit Komunal kishte se nuk është fshirë me qëllim, por që për shkak të problemeve me rrjet ka mundur të mos publikohet e tëra.

KALLXO.com ka dërguar pyetje përsëri sot në lidhje me mos publikimin e plotë të seancës dhe është në pritje të përgjigjes.

KALLXO.com ka kontaktuar të premten edhe  me nënkryetarin Zhegrova për të marrë një qëndrim rreth kësaj situate.

“Kanë qenë 27 vota, apo kupton 27 fletvotime janë në kutinë e votimit. Tetë asamblistë kanë mungu. Do të thotë janë emrat e asamblistëve që kanë mungu në mesin e tyne është edhe Loriku edhe Arlindi që e kanë lëshu seancën paraprakisht dmth pas pauzës. Nuk është e vërtëtë që kanë marrë pjesë në votim. Tjetër është që ka qenë interes i përgjithshëm, nuk është interes i kërkujt, është puna për një lapidar për një dëshmor”- kishte thënë ai mes të tjerave.

Melihate Bashollin, kryesuese e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë shihet shumë pranë nënkryetarit, Shpëtim Zhegrova i cili kërkon të votohet në vend të asamblistëve që nuk janë në seancë.

“Unë kam pas punën time edhe aty ka qenë komisioni që e kena zgjedh i cili është kujdes për mbarvajtjen e procesit e votimit, kështu që për këtë çështje është më mirë ata me i kontaktu po unë po të tregoj anën time. Nëse ju e keni në video, unë i kam thirr emrat e anëtarëve të Kuvendit në bazë të listës qysh i kemi edhe me të thënë të drejtën kurgjo nuk kam dëgju në këtë aspekt që ti po flet”- tha ajo për KALLXO.com

Dyshimet se në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë u votua në vend të asamblistëve të PDK-së  që nuk ishin në sallë