Opozita në Shqipëri e shqetësuar nga propozimi i Ramës për emërimin e Vlora Hysenit shefe të Inteligjencës

Opozita në Shqipëri është shprehur e shqetësuar pas propozimit të kryeministrit Edi Rama, për emërimin e Vlora Hysenit si Drejtore të Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë.

Kjo e fundit paraprakisht ka qenë zëvendëshefe e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, të cilën e ka shkarkuar presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, dy vite më parë.

Deputeti opozitar nga Partia Demokratike, Gazment Bardhi ka kërkuar nga presidenti Bajram Begaj që të marrë informacion të plotë nga institucionet e Kosovës mbi arsyet e largimit nga detyra të Hysenit.

“Presidenti i Republikës është i detyruar të marrë informacionet e plota pranë institucioneve të Republikës së Kosovës mbi arsyet e largimit të saj nga të gjitha pozicionet në shërbimet e inteligjencës së Republikës së Kosovës. Për këtë Presidenti i Republikës ka detyrimin të bëjë transparencë për opinionin publik dhe të informoj edhe Kuvendin e Shqipërisë mbi çdo informacion që do të sigurojë”- shkruan Bardhi.

Sipas Bardhit, siguria kombëtare e Shqipërisë është ngushtësisht e lidhur me sigurinë kombëtare të Kosovës.

“Siguria kombëtare e Shqipërisë është ngushtësisht e lidhur me sigurinë kombëtare të Kosovës. SHIK nuk mund të jetë kurrë institucion nën kontrollin personal të Edi Ramës, me përzgjedhje personale të tij dhe pa asnjë argument që siguron pavarësinë e Shërbimit Informativ Kombëtar dhe ushtrimin prej tij me profesionalizëm e paanësi të misionit të mbrojtjes së sigurisë kombëtare”- shton ai.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri Rama e ka propozuar Vlora Hysenin për Drejtore të Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë.

“Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e znj. Vlora Hyseni drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar”- ka shkruar Rama në Facebook.

Vlora Hyseni ishte shkarkuar nga pozita në AKI, më 30 qershor të vitit 2021 nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Në komunikatën e lëshuar nga Presidenca dhe Zyra e Kryeministrit të Kosovës, para dy vjetësh thuhet se zëvendësdrejtoresha e deriatëhershme e AKI-së obligohet që ta bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar dhe t’i ruajë të gjitha informacionet që i ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës.