Opozita në Podujevë: Kryetarin nuk e kemi parë qe dy vjet

Asamblistët komunalë të Podujevës nga radhët e opozitës, kanë kritikuar kryetarin e komunës, Agim Veliu, për mos prezencë në mbledhjet e asamblesë që nga marrja e mandatit në vitin 2017.

Ne debatin e  hapur të mbajtur nga BIRN të hënën në Podujevë ku u diskutua mbi gjetjet e monitorimit dhe analizës së Auditorit të Përgjithshëm për këtë komunë, në panel ishte nënkryetari i komunës Nexhmi Rudari, në mungesë të kryetarit Veliu.

BIRN e ka ftuar për pjesëmarrje në këtë debat kryetarin e komunës së Podujevës Agim Veliun, por i njëjti është arsyetuar se e ka agjendën e ngjeshur, si dhe e ka caktuar për pjesëmarrje nënkryetarin Rudari.

Në anën tjetër, asamblisti nga PDK-ja, Rafet Llapashtica tha se prezent në këtë debat është dashur të jetë kryetari i komunës.

“Së paku në këtë panel, mas tri viteve betim për këtë legjislaturë është dashur të jetë prezent kryetari, se ne me nënkryetarin çdo seancë e mbajmë. Asnjëherë s’ka qenë prezent pos ditës së betimit”, theksoi ai.

Kurse, asamblisti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se kryetarin e komunës nuk e kanë parë qe dy vjet.

“Ju përshëndes juve dhe të pranishmit e tjerë këtu. Kryetarin nuk po e përshëndes se siç po shihet nuk ka ardh, na u ka bo edhe jabangji, s’e kemi pa qe nja dy vjet. Po sidoqoftë ne do t’i komentojmë këto të gjetura të raportit të Auditorit të Përgjithshëm”, tha ai.

Auditori: Parregullsitë e Komunës së Podujevës në vitin 2018

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka mbajtur debat të hapur mbi gjetjet e monitorimit dhe analizës së Auditorit për Komunën e Podujevës.

Shkeljet në prokurim, zbatimi jo i kënaqshëm i rekomandimeve të auditorit, punësimet e larta të personave me kontrata mbi vepër, ‘tenderomania’ dhe çështje të tjera u thanë të jenë disa problematikat e evidentuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në këtë komunë, në katër vitet e fundit.

Visar Prebreza, redaktor përgjegjës i Gazetës Jeta në Kosovë BIRN, duke prezantuar gjetjet e analizës, ka thënë se kanë identifikuar shkeljet më të shpeshta të komunës së Podujevës në sektorë të caktuar, ku mes tjerash ka shtuar se në prokurim ka pasur vazhdimisht parregullsi.

“Komuna ka pranuar një numër të madh të rekomandimeve, kemi edhe një nivel jo të kënaqsshëm të zabtimi të tyre, edhe pse duhet pranuar që edhe komunat tjera apo në nivel të institucioneve ka një zbatim më të ulët të rekomandimeve krahasuar me ministritë apo agjencitë e pavarura”, ka theksuar ai.

Kurse, nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka theksuar se rrethanat me të cilat është ballafaquar institucioni i tyre, kanë pamundësuar zbatimin e rekomandimeve të Auditorit.

“Shumë prej rekomandimeve janë realizuar pjesërisht, disa tërësisht, por duhet themi që një pjesë bukur e madhe e tyre nuk janë zbatuar, jo se ka munguar vullneti por rrethanat e kanë pamundësuar zbatimin e tyre”, tha nënkryetari.

Ndërkaq, zëvendës auditori i PërgjithshëmIlir Salihu ka thënë se takimet e tilla janë të rëndësishme pasi sipas tij, ka nivel jo të kënaqshëm të zbatimit të rekomandimeve.

Debat për gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit në Komunën e Podujevës

Publiée par Kallxo.com sur Lundi 28 octobre 2019