Opozita mirëpret vizitën e krerëve të shtetit në ShBA, presin detaje rreth takimeve

Opozita po e vlerëson si hap pozitiv në politikën e jashtme, vizitat e liderëve shtetërorë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë shprehur qëndrimet e tyre rreth vizitës së krerëve shtetëror, presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë nga radhët e PDK-së, Ariana Musliu- Shoshi e ka konsideruar vizitën si hapi më pozitiv që nga dita kur e ka marr detyrën Qeveria Kurti 2.

Sipas Musliu- Shoshit, vizitat paraprake kanë qenë iniciativa personale të Kurtit e Osmanit, të cilat siç tha ajo kanë qenë pa një agjendë konkrete për Kosovën në relacion me ShBA-të.

“E vlerësoj se është hapi më pozitiv në Politikën e Jashtme që nga dita kur e ka marr detyrën Qeveria Kurti 2. Në fakt është vizita e parë zyrtare në Departamentin e Shtetit Amerikan. Vizitat tjera kanë qenë iniciativa personale të Kuritit e Osmanit, pa ndonjë agjendë konkrete për shtetin tonë në relacion me SHBA-të”, tha ajo në një prononcim për KALLXO.com.

Tema e dialogut të Kosovës me Serbinë, ishte pjesë e diskutimit të liderëve shtetërorë dhe sekretarit amerikan të shtetit, Anthony Blinken.

Për këtë çështje, Musliu- Shoshi tha se nuk është në dijeni se çka në saktësi është diskutuar për dialogun, por që pret të ketë prononcime konkrete nga Qeveria lidhur me takimin me Blinken dhe marrëveshjet të cilat pritet të nënshkruhen.

“Ne nuk i dimë në saktësi temat të cilat janë diskutuar e që ndërlidhen me dialogun Kosovë-Serbi, por është e qartë nga postimi në Twitter i Sekretarit Blinken, që takimi ka qenë për konkretisht për dialogun. Mbetet të shihet në të ardhmen e afërt nëse do të ketë prononcime konkrete nga qeveria lidhur me këtë takim dhe lidhur me marrëveshjet të cilat pritet të nënshkruhen”, theksoi Musliu-Shoshi.

“Po ashtu mbetet të shihet nëse do te ketë edhe takim në mes të Kurtit dhe Vuçiqit”, shtoi ajo.

Nënshkrimin e Marrëveshjes së Programit Kompakt me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit -MCC, Musliu Shoshi konsideron që çdo bashkëpunim me ShBA-në është i mirëpritur, pasi sipas saj është në të mirë të Kosovës.

“Çdo bashkëpunim me mikun tonë të madh SHBA-të është i mirëpritur sepse është në të mirë të vendit tonë dhe normal që unë do e mbështes si marrëveshje ndërkombëtare në Kuvend. Asnjëherë nuk kemi pas ndonjë dyshim në asnjë iniciativë që ka ardhë nga SHBA-të. Përkundrazi, gjithmonë kemi kundërshtuar qeverinë Kurti, e cila ka shfaqë hezitim e dyshim në iniciativat e SHBA-së në relacion me zhvillimin e Kosovës”, ka thënë Musliu- Shoshi.

Takim të mirëseardhur por të vonuar, e quajti vizitën e Kurtit dhe të Osmanit kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi nga LDK-ja.

Krasniqi tha se një takim i tillë është i mirëseardhur dhe se i njëjti është dashur të mbahet shumë kohë më herët.

“Takimi si i tillë është i vonuar por gjithsesi është i mirëseardhur për ne. Ajo çfarë mund të them tani është se ky takim është dashur të mbahet shumë kohë më herët, gjithsesi me duhet të theksoj se është një takim për të cilin ne jemi të kënaqur si skenë politike. Por, nuk duhet të ngutemi për të dhënë më tepër vlerësime deri sa të bëhen të ditura detajet e takimit dhe të shihen prioritetet dhe agjenda e tij”, tha ajo në një prononcim për KALLXO.com.

Për nënshkrimin e marrëveshjes me MCC-në, Krasniqi e vlerëson si një arritje e madhe por që sipas saj nëse marrëveshja ishte bërë më herët “me lehtësi mund të themi se sot do ta kishim më të lehtë përballjen me krizën ekonomike dhe energjetike”.

“Partia në pushtet po pretendon për një fitore të madhe me nënshkrimin e Marrëveshjes së Programit Kompakt me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit -MCC. Gjithsesi ne e vlerësojmë se është një arritje e madhe por kjo është dashur të bëhet shumë më herët. Sikur të ishte bërë marrëveshja në kohën e duhur, me lehtësi mund të themi se sot do ta kishim më të lehtë përballjen me krizën ekonomike dhe energjetike”, u shpreh Krasniqi.

Vizitën e liderëve shtetërorë e përshëndet edhe anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj.

Në një prononcim për KALLXO.com, Kadrijaj tha se pavarësisht ndryshimit të qeverive, dëshirojnë që marrëdhëniet ShBA – Kosovë të jenë në nivelin më të lartë të mundshëm duke shtuar se pret nga kryeministri që të bëjë publike rrjedhat e takimit.

“Ne i përshëndesim takimin sepse i gëzohemi çdo të arriture të shtetit dhe duke e konsideruar se SHBA janë vendi më mik dhe më aleat i Kosovës, ne dëshirojmë pavarësisht ndërrimit të qeverive që raportet SHBA- Kosovë, të jenë në nivelin më të lartë të mundshëm. Besoj që posa kryeministri të kthehet do të bëjë publike se si ka rrjedhë takimi, çka është diskutuar çka nuk është diskutuar, megjithatë po shohim edhe në media temat e debatit”, deklaroi Kadrijaj.

Sa i përket çështjes së dialogut, ajo u shpreh se si AAK-ja ka kërkuar që të mos ketë negociata teknike por politike ku sipas Kadrijajt, të diskutohet për marrëveshjen finale.

“Ne e dimë që është një emisar i SHBA që e mbikëqyrë procesin e bisedimeve dhe kërkojmë që ajo çka duhet të negociohet, të mos ketë negociata teknike por të kalohet në negociata politike ku diskutohet për marrëveshjen finale që do të përfundojë me njohje reciproke, normal duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës por edhe Kushtetutën”, theksoi ajo.

Ndërkaq, për nënshkrimin e marrëveshjes me MCC-në, Kadrijaj u shpreh se si çdo marrëveshje tjetër ndërkombëtare, e përkrahin edhe këtë marrëveshje.

“Ne e përkrahim MCC sepse është një përkrahje e madhe që po i bëhet Kosovës me mbi 200 milionë. E përkrahim sepse e kemi përkrahur çdo marrëveshje ndërkombëtare sepse ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare kërkon 2/3tat e deputetëve dhe deri tash opozita i ka përkrah përkundër LVV-së kur ka qenë opozitë e ka pasë plotë marrëveshje ndërkombëtare që nuk i ka përkrah dhe që sot vet i sjellin në Kuvendin e Kosovës për miratim”, potencoi Kadrijaj.

Sekretari amerikan të Shtetit, Antony Blinken është takuar të martën me Osmanin dhe Kurtin.

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, në një konferëncë për media pas takimit kanë thënë se me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken kanë diskutuar edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Kosova dhe Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në ceremoninë e Kongresit amerikan kanë nënshkruar marrëveshjen e programit Kompakt mes Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Marrëveshja pritet t’i sjellë Kosovës mbi 200 milionë dollarë investime në projekte në fushën e energjisë.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe dy liderët institucionalë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Marrëveshja me MCC-në u nënshkrua nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.