Opozita me kërkesë për shkarkimin e ambasadorit Berishaj dhe me akuza ndaj qeverisë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra, në emër të PDK-së ka kërkuar shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

“Ambasadori Berishaj duhet të shkarkohet duhet të shkarkohet e më pas drejtësia do të thotë fjalën e vet. Qeveria dhe Presidenca nuk janë as gjykatës as prokurorë por, duhet të marrin hapa institucional për të shkarkuar menjëherë ambasadorin “, ka thënë Deliu Kodra.

“Në kohën kur Kosova e ka mundësinë për anëtarësim në Këshillin e Evropës për shkak të përjashtimit të Rusisë, mediat sllovene raportojnë për  financiar të ambasadorit Martin Berishaj”, ka shtuar ajo.

Deliu Kodra ka thënë se Berishaj pas këtij siç ka thënë ajo skandali, Berishaj nuk do të mund të ushtrojë detyrën e tij.

“Berishaj pas këtij skandali nuk do të mund të ushtrojë detyrën e tij. Me skandalin e tij tashmë ua kanë vështirësuar punë ambasadorëve tjerë që janë në vendet fqinje. Shkarkimi as që do të duhet të diskutohet”, ka thënë deputetja.

Tutje ajo ka thënë se mosshkarkimi i ambasadorit Berishaj, paraqet një skandal të dyfishtë.

“Kosova nuk e ka luksin të përballet me këso skandale. Mos shkarkimi i tij paraqet një skandal i dyfishtë. Janë shkarkuar diplomatë vetëm për shkak të disa deklarimeve publike në rrjete sociale”, ka thënë Deliku Kodra.

Për këtë çështje ka folur edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa.

“Sot kur ministrat dhe ambasadorët dyshohen për shkelje kushtetuese, mjafton një deklaratë se “ne ju besojmë atyre”, ka thënë Mustafa.

Më tej ai ka folur edhe për paratë e ndara nga qeveria për subvencionimin e energjisë.

“Sot një ambasador i Kosovës është epiqendër e një skandali në Kroaci në të njëjtën kohë Qeveria ndan 100 milionë euro për subvencionim të energjisë. Prandaj është e qartë se ministri i Financave nuk guxon t’i publikojë listat se ku janë ndarë ato mjete të subvencionimit”, ka thënë Mustafa.

Tutje ai e ka quajtur ambasadorin Berishaj “njeri i ngushtë i LVV-së” dhe ka kërkuar kthimin e tij në Kosovë për të raportuar.

“Ambasadori, njeri i rrethit të ngushtë të LVV-së duhet të kthehet në Kosovë dhe të raportojë për skandalin. Se kush është i fajshëm ose jo duhet të vendosin organet e rendit dhe drejtësisë e jo Komisariatet e Partisë”, ka thënë Mustafa.

Ndërkaq, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk e ka hallin tek Martin Berishaj, por te Qeveria që ka qenë kundër investimeve në energji.

Mediat sllovene kanë raportuar se Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, dyshohet se ka transferuar një shumë të parave tek një kompani private në Mal të Zi. Sipas mediumit slloven, kompania private është në pronësi të Martin Berishajt.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

Zyra e Presidentes së Kosovës ka njoftuar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, një raport me shkrim për artikullin e publikuar në një media në Slloveni.