Kuvendi i Kosovës, 24 mars 2022/ Foto: KALLXO.com

Opozita mbledh nënshkrimet për Komisionin Hetimor për energji, thonë se do hetohen edhe punësimet në KEK

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se partitë opozitare kanë mbledhur 40 nënshkrimet për themelimin e Komisionit Hetimor lidhur me menaxhimin e krizës energjetike.

Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se pikë e re në këtë komision do të jenë edhe punësimet në KEK.

“Ne si opozitë i kemi mbledhur 40 nënshkrime për komisionin hetimor në raport me abuzimet që kanë ndodh për krizën energjetike. Është shumë e rëndësishme të zbardhen abuzimet qoftë në blerjen e energjisë elektrike qoftë prodhimin e energjisë dhe tashmë një pikë e re do të jenë në këtë komision hetimor do të jenë edhe abuzimi me punësimet në KEK. Kërkesa do të jetë sot të administrata sepse nënshkrimet janë mbledh”, ka thënë Tahiri.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Besnik Tahiri tha se themelimi I këtij komisioni hetimor do të vendoset si pikë në rendin e ditës së seancës ditën e enjte.

“Si opozitë kemi mbledh të gjitha nënshkrimet dhe do të vendosim në seancën e së enjtes si pikë themelimin e këtij komisioni. Është më rëndësi që trajtimi i çështjeve që po vijnë nga punësimet në KEK të trajtohen nga ky komision dhe të del e vërteta në shesh cilado është ajo”, tha Besnik Tahiri.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Adnan Rrustemi tha se: “Ne nuk kemi asgjë kundër madje edhe në seancën e kaluar kemi qenë të gatshëm për ta themeluar por diskutimi kishte devijuar nga opozita. Në përmbajte konsiderojmë që ky komision nuk ka substancë, dhe është i pa bazuar në kërkesë por tani që janë mbledhur 40 nënshkrime Kuvendi e voton përbërjen”.

Në seancën e kaluar të mbajtur me 28 mars, me 23 vota për, 50 vota kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk e ka formuar Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk e përkrahën formimin e këtij Komisioni që do të hetonte Qeverinë për menaxhimin e krizës me rrymën.

Ky propozim erdhi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Nuk formohet komisioni hetimor lidhur me menaxhimin e krizës energjetike, opozita lëshon sallën e Kuvendit