Opozita lëshon seancën, kundërshtojnë pritjen e deputetëve të LVV-së

Partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK, janë larguar nga seanca e Kuvendit të Kosovës e cila ka filluar pas më shumë se një orë ore pauzë me kërkesë të kryeparlamentarit Glauk Konjufca për të pritur deputetët të cilët ishin të angazhuar në komison.

Pas pauzës, fjalën e morën kryetarët e Grupeve Parlamentare të partitë opozitare, LDK, PDK dhe AAK.

Ata kundërshtuan vendimin për pritjen e deputetëve të partisë në pushtet për tu krijuar kuorum i nevojshëm për votimin e pikave të pa përfunduara.

Kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se sipas LDK-së është e pa arsyeshme që të vazhdojnë të marrim pjesë në seancë duke pritur që pushteti t’i bëjë 61 deputetë.

“Si Grup Parlamentar mendojmë që është e pa arsyeshme që ne të vazhdojmë marrim pjesë në seancë ku na pa mundësohet me votu mbi bazën e vullnetit të lirë duke prit që pushteti ti bëj 61 deputetë, e pa arsyeshme dhe jo demokarike. Në momentin që Kuvendi ka 61 deputetë është detyrë e kryetarit të Kuvendit të filloi seancën”-tha ai.

Pas kësaj deklarate, grupi parlamentar i LDK-së u largua nga salla e Kuvendit.

Ndërsa, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se kjo parti kërkojnë përgjegjësi dhe angazhim më serioz nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne kërkojmë përgjegjësi dhe angazhim më serioz nga seanca në këtë mandat. Po shohim një pa përgjegjësi të madhe, po shohim një menaxhim të dobët. Nuk mendoj që duhet të vazhdojë Kuvendi me dështime siç jemi duke dështuar”-u shpreh Tahiri.

Kryetari i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se nuk ka kushte për punë.

“Mendoj që nuk mundem me nejt me prezencë fizike por kushte për punë dhe deputetë nuk  ka. Mendoj që duhet me e mbyll këtë seancë”-ka thënë Tahiri i AAK-së.

Pas këtyre deklaratave edhe deputetët e PDK-së dhe AAK-së janë larguar nga salla e Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se roli i tij nuk është për te bërë veprime qe i kontribuojnë bllokimit të Kuvendit.

“Unë ju pyeta a i votoni pikat në vijim, nëse nuk i votoni për me funksionua kuvendi mazhoranca duhet të jetë e plotë, në kuptimin e pragut të domosdoshëm për më marrë vendime që janë 61 deputetë që marrin pjesë në votim”-ka thënë ai.

Tutje ai ka shtuar se në bazë të rregullores ai mund të caktoj pauza sa herë që ka nevojë.

“Rregullorja plotësisht ma jep të drejtën të caktoj pauza, pushime sa herë ka nevojë e të vazhdojmë kurdo që e konsideroj që kushtet krijohen në Kuvend të Kosovës”-u shpreh Konjufca.

Kuvendi i Kosovës ka shtyrë fillimin e seancës plenare për në ora 13:00 për shkak të angazhimit të deputetëve në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Në këtë komision janë duke u intervistuar kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Seanca e sotme e Kuvendit ishte paralajmëruar të fillonte në ora 11:00 dhe pikë e ardhshme në rend të ditës të kësaj seance është votimi i vazhdimit të masave emergjente për energjinë elektrike.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka kërkuar nga partitë opozitare të deklarohen nëse do të votojnë për këtë pikë.

“Meqenëse pikën e ardhshme të rendit të ditës e kemi një votim për të cilin opozita nuk ka votuar seancën e kaluar, kërkoj përcaktimin e grupeve parlamentare nëse do të votojnë, nëse nuk voton opozita atëherë detyrohem që këtë seancë do të shtyjë deri në ora 13:00, kur mazhoranca po premton që i ka numrat rreth orës 13:00”-ka thënë Konjufca.

Kryetarët e grupeve parlamentare të partive opozitare kanë kërkuar të vazhdohet seanca e Kuvendit ashtu siç është paracaktuar pa marrë parasysh angazhimin e deputetëve në komision.