Opozita kushtëzon pjesëmarrjen në seancë me Komisionin Hetimor për energjinë

Opozita e vendit ka kushtëzuar mbajtjen e seancës së sotme të Kuvendit me themelimin e Komisionit Hetimor për energjinë.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka kërkuar nga opozita që të bëhen bashkë që nëse nuk futet të rend të ditës komisioni hetimor të mos vazhdohet me seancën e re.

“Ne kërkojmë që kjo seancë të mos vazhdoj, ta themelojmë komisionin hetimor, dhe pastaj të vazhdojmë me pikat e tjera të rëndit të ditës, edhe ashtu kjo seancë është ftu pa dakordimin e opozitës. Sot nuk mundet me pas normalitet parlamentar pa u themelu komisioni hetimor për çështjet që ne i kemi ngritë”, ka deklaruar Tahiri.

Në anën tjetër, shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari Lila ka thënë se pajtohet me formimin e komisionit hetimor është instrument i opozitës por që nuk pajtohet që sipas saj duhet të shkelen dispozita për formim të komisionit.

“Pajtohemi që duhet të formohet komisioni hetimor parlamentar dhe që është instrument i opozitës. Duhet t’i kthehet normaliteti i seancës së kuvendit duke përfshirë etiken. Çka nuk pajtohemi është se duhet të shkelim dispozita të ligjit për formim të komisionit hetimor. Po bëjë thirrje që të ulemi të gjejmë modalitet që i jep drejtim. Mos të përdoret bllokada e opozitës kinse po dojmë me fshehë diçka”, tha Kusari Lila.

Kusari-Lila tha që nuk mund të themelohen dy komisione për të njëjtën çështje.

Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) tha që Kuvendit po i cenohet demokracia duke mos lejuar vendimmarrjen në këtë institucion.

“Situata është delikate dhe mendoj se mënyra e sjelljes së pushtetit po e paaftëson vendimmarrjen në Kuvend. Ky paaftësim i vendimmarrjes në Kuvend po vjen si rezultat i vullnetit të jashtëzakonshëm të pushtetit që të pamundësoj mbikëqyrjen parlamentare”, tha ai.

Gashi tha që edhe LDK vlerëson se duhet të formohet komisioni pastaj të vazhdohet me pikat e tjera.

“Ne mendojmë se Kuvendi nuk duhet të marrë asnjë vendim tjetër përpara se të themelohet komisioni hetimor parlamentar”, theksoi ai.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se partia e tij e mbështet kërkesën e PDK-së për formimin e komisionit pastaj të vazhdohet puna e Kuvendit.

“Aleanca mbështetë kërkesën e opozitës për formim të komisionit. Jemi të mërzitur që pozita po refuzon formimin. Nuk e  shohim të arsyeshme një zgjidhje të tillë nga pushteti. Seanca do të merrte kuptim me formimin e komisionit. Si aleancë do të marrim pjesë vetëm në votimin e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.]

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se seanca e sotme është thirrur në mënyrë të rregullt.

“Asnjë shkelje ligjore nuk ka në caktimin e kësaj seancë, është çështje tjetër se si pozicionoheni ju si opozitë për pjesëmarrjen në seancë I kemi dy mundësi të vazhdojmë me këtë seancë apo të ndërpritet. Kjo seancë mund të dështojë vetëm nëse nuk ka kuorum”, tha ai

“Në anën tjetër është problematike të bëjmë një mocion që të marrin një pikë të rendit të ditës të seancës së kaluar dhe të vazhdojmë në këtë që jemi tash. Është ligjërisht e pa mundshme dhe nuk ka pasur rast të tillë”, shtoi ai.

Seancën e kaluar nga 61 deputet sa ishin të pranishëm, tre prej tyre morën pjesë në votimin në lidhje me formimin e komisionit hetimor parlamentar, lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Me 19 prill me pjesëmarrjen e vetëm 33 deputetëve në votim, nuk ka kaluar mocioni procedural për të futur në rend të ditës formimin e komisionit hetimor parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK kishin lëshuar seancën duke deklaruar se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim deri në formimin e këtij komisioni.

Një ditë më vonë, dështuan edhe disa mbledhje të komisioneve parlamentare pasi opozita refuzoi pjesëmarrjen në mbledhje.

Formimi i komisionit hetimor parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës, nuk kishte kaluar në seancën e Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 28 mars të këtij viti.

Opozita po kërkon që të hetohen vendimet e Qeverisë, në kohën kur vendi ishte përballur me krizë energjetike dhe reduktime të energjisë elektrike në dhjetor të vitit të kaluar.

Ndërsa mazhoranca është duke kërkuar që hetimet për energjinë të bëhen nga viti 2006 deri në vitin 2022.

LVV propozon Komision Hetimor për energjinë, kërkon hetim nga viti 2006