Opozita kritikon Bedri Hamzën për mospjesëmarrje në debat- VIDEO
Kreu i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, nuk mori pjesë në debatin “Jeta në Komunë” që po transmetohet sonte, më 24.11.2024. Në vend të tij, për premtimet dhe projektet gjatë tri vjet qeverisjeje u përgjigj nënkryetari, Arian Tahiri.
Mospjesëmarrjen në debat të Bedri Hamzës, opozita e quajti ikje nga përgjegjësia.
“Ne shprehim shqetësimin e mungesës së kryetarit në debatin e sotëm sepse tekefundit ky është debat me kryetarin dhe sa i përket neve, ky është një lloj dezertimi detyra dhe nga ata qytetarë që e kanë votuar- deklaroi Faruk Mujka, shef i Grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Kur nuk mund të jesh në ballë të komunës, nuk e di prej nga vjen kurajo me qenë në ballë të qytetit. Mungesa e kryetarit është shenjë e ikjes nga përgjegjësitë për keqqeverisjen për këto tre vjet” – tha tutje ish nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Gjatë debatit u diskutua mbi performancën dhe premtimet e Bedri Hamzës dhe realizmin e tyre në tri vjet qeverisje.