Opozita kosovare dhe BE e nënvlerësojnë marrëveshjen Serbi-Kosovë të arritur në Uashington

Ndërkohë që liderët opozitarë shprehen skeptikë lidhur me marrëveshjet e Uashingtonit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, BE pretendon se tashmë po mirret me disa tema kyçe që i adresojnë marrëveshjet amerikane.

 

Një ditë pasi ish kryeministri Albin Kurti shprehu dyshime të mëdha lidhur me marrëveshjen për normalizim ekonomik me Serbinë, e nënshkruar në Uashington nën patronazhin e Presidentit të Sh.B.A-ve, Donald Trump me 4 shtator, Bashkimi Evropian po ashtu ka nënvlerësuar rëndësinë e saj, raporton Balkan Insight.

Politikanët kosovarë mbesin të ndarë lidhur me marrëveshjet e veçanta të nënshkruara nga të dy vendet si dhe Sh.B.A – të cilat nuk e specifikojnë kohën se kur do të duhej të hynin në fuqi, apo edhe nëse kërkojnë ratifikimin nga parlamentet e tyre kombëtare, megjithëse ligjet vendore në të dy vendet thonë se këto marrëveshje duhet të ratifikohen.

Pasi që BE, fillimisht, miratoi një pozicion të përmbajtur ndaj marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga SH.B.A., ditën e  mërkurë, Ana Pisonero, Zëdhënëse e BE për Partneritet Ndërkombëtar, Fqinjësi dhe Zgjerim, i tha Radios Evropa e Lirë se BE tashmë ishte duke realizuar pikat kryesore në marrëveshjen e Uashingtonit.

“BE ka siguruar ndihmë teknike për komplet Autostradën e Paqes”, tha ajo, duke iu referuar autostradës së planifikuar të financuar nga SH.B.A. që lidh Nishin në Serbi dhe kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën. BE, kishte “investime të miratuara tashmë për pjesët e para të autostradës në Serbi dhe Kosovë”, shtoi ajo.

Më 15 shtator, Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar e SH.B.A., DFC dhe Eksport-Import Bank e SH.B.A., EXIM, nënshkruan Letrat e Zotimit me Serbinë dhe Kosovën për ndërtimin e autostradës së re.

Partitë opozitare në Kosovë, në ndërkohë, kishin dyshimet e tyre për mosimplementimin e marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga Sh.B.A.

Në një intervistë për kanalin televiziv kosovar KTV të martën, Albin Kurti, ish kryeministër dhe tani lider i partisë kryesore opozitare Vetëvendosje, e quajti marrëveshjen e Uashingtonit një “marrëveshje rrëmujë”, duke thënë se kishte shumë gjëra të shkruara vetëm në “një faqe e gjysmë ”.

Kurti shtoi se pjesë të marrëveshjes nuk mund të impelmentohen fare, duke e marrë si shembull linjën ajrore me të cilën Kosova dhe Serbia janë pajtuar për rivendosjen e saj e asistuar nga Sh.B.A. 

“Si është i mundur fluturimi Prishtinë – Beograd dhe anasjelltas kur Serbia nuk na i pranon pasaportat. Serbia nuk na i pranon as letërnjoftimet tona. Por nëse shkon ti në Serbi, ata ta marrin lëtërnjoftimin dhe pastaj ta japin një letër kinse ti e ke humbur letërnjoftimin”, pyet ai duke iu referuar faktit se Serbia nuk e njeh Kosovën apo dokumentet e lëshuara nga Kosova. Në mënyrë që qytetarët e Kosovës të hyjnë në Serbi  nga Kosova, ata duhet të marrin një dokument të lëshuar nga autoritetet në kufijtë e papranuar.

Një qështje tjetër e nxehtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është implementimi nga Kosova i një Asociacioni gjysmë-autonom të komunave më shumicë serbe për të cilën ishte dakorduar në vitin 2013. Kosova ende po përpiqet të shmangë këtë zotim sensitiv.

Pas takimit të kryesisë së Kuvendit të Kosovës ditën e martë, Kryekuvendarja, Vjosa Osmani, përsëriti se themelimi i një asociacioni të tillë “me kompetenca ekzekutive është rrezik për Kosovën”, duke thënë se palët që kanë nënshkruar marrëveshjen për ta themeluar atë në vitin 2013 duhet ta kishin “kuptuar këtë gjatë procesit”, së bashku me ata njerëz sikurse vetë ajo e cila “e ka  kundërshtuar këtë qysh nga fillimi ”.

Osmani i referohej fjalëve të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili më herët e kishte quajtur marrëveshjen e vitit 2013 “një investim në të ardhmen evropiane të fëmijëve tanë” porse tani po del fuqishëm kundër themelimit të këtij asociacioni.

Me 16 shtator, Thaçi kërkoi nga parlamenti ta miratojë një rezolutë e cila e ndalon qeverinë e Kosovës të diskutojë tema të tilla si Asociacioni i komunave me shumicë serbe – duke i quajtur diskutimet e tilla një “gabim i rëndë dhe i rrezikshëm”.

Lideri i partisë qeverisëse Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, Isa Mustafa, megjithatë, ia përkujtoi Thaçit të nesërmen se ai vetë e kishte nënshkruar këtë marrëveshje në vitin 2013.

Mes mosmarrëveshjeve të ndryshme mbi politikën e jashtme, Kosova rrezikon të rrëshqasë në një krizë tjetër të brendshme politike, me LDK-në që kërcënon ta prishë koalicionin e brishtë aktual nëse partneri i saj i vogël qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, e kushtëzon mbështetjen e saj të vazhdueshme ndaj udhëheqësit të saj, Ramush Haradinaj, duke pasuar Thaçin si President kur mandati i tij mbaron në prill të vitit 2021. Thaçi është zotuar t’i japë fund karrierës së tij politike me ta përfunduar mandatin e tij. 

Ndërkohë, Vetëvendosje po bën presion të madh për zgjedhje të reja. Kurti – i cili u rrëzua si kryeministër pas një mandati afat-shkurtër në muajin mars – i tha kanalit televiziv KTV se Vetëvendosje “do të bëjë gjithçka që është e mundur për të marrë 50 përqind të votave së bashku me Vjosa Osmanin”, e cila është shkarkuar nga udhëheqja e LDK pasi në vazhdimësi kundërshtonte politikat e partisë.

“Sigurisht që ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për ta përmbysur qeverinë,” shtoi ai. “Ka pasur kontakte midis grupeve parlamentare,” vazhdoi ai, duke pretenduar se çështja e vetme për Vetëvendosjen ishte se me cilën parti të formonte koalicionin.