Opozita kërkon tërheqjen e projektligjit për Byronë Shtetërore, qeveria e vendosur të votohet sot

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po kërkojnë që Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme po kërkojnë të tërhiqet, duke kërkuar që ky projektligj të trajtohet si pako e reformës në drejtësi së bashku me procesin e Vetingut.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së ka thënë se deri sa të ketë një konkluzion lidhur me procesin e Vetingut mos të votohet as projektligji për byronë.

“Propozimi im është që deri sa të ketë një konkluzion për nismën tuaj për koordinim lidhur me procesin e Vetingut, të mos votohet as ky projektligj. Besoj që pajtimi është që të kemi një konkluzion për nismën tuaj para se të shkojmë në pushime verore”, deklaroi Gashi.

Mirëpo, ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu u shpreh se qëndrimi i qeverisë është që ky projektligj të vendoset sot në votim dhe më pas të gjitha rekomandimet e komisionit të Venecias të adresohen.

“Qëndrimi i qeverisë është që ky projektligj të vendoset në votim sot në parim e pastaj të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias të adresohen. Përshëndesim nisjen e takimeve me grupet parlamentare për çështjen e konsensusit për Vetingun në sistemin e drejtësisë dhe kjo nuk ka të bëjë asgjë me procesin tjetër”, theksoi Haxhiu.

Kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka kërkuar që ky projektligj të tërhiqet dhe të diskutohet, përndryshe nuk do ta mbështesin.

“Kërkoj prej juve kryetar dhe prej kryeministrit që është këtu që të tërhiqet të diskutohet, ta shtimë në pako në mënyrë që të shtyjmë agjendën e Vetingut përpara, përndryshe jeni pa ne”, tha Tahiri.

Kreu i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se është pajtuar me kërkesën e LDK-së që çështjen e reformës në drejtësi mos të fokusohen vetëm në procesin e Vetingut por edhe të çështja e byrosë.

“Ne jemi pajtu me kërkesën e LDK-së që çështjen e reformës në drejtësi mos të fokusohemi thjesht në Veting por të jetë edhe kjo çështja e byrosë. Është më e shëndoshë të shkojmë me një iniciativë të tillë sepse mirë është që të hyjmë në një pako të reformës në drejtësi me disa çështje të rëndësishme”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PDK-së.

Kuvendi i Kosovës, në seancën e javës së kaluar nuk ka pasur kuorum për të kaluar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Votimi i projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pa justifikueshme ishte shtyrë në seancën e Kuvendit e cila ishte mbajtur në shkurt të këtij viti, për një afat të pa caktuar, deri në kthimin e përgjigjes nga Komisioni i Venedikut.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca me kërkesë të opozitës pati thënë se do t’i drejtohet Komisionit të Venedikut për këtë projektligj.