Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Opozita kërkon të paguhen mësimdhënësit

Kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në fillim të seancës, ka kërkuar nga deputetët që mos të sillen sikur nuk po ndodh asgjë, duke përmendur mospagesën e mësimdhënësve.

Sipas Gashit, mbi 26 mijë familje të Kosovës kanë mbetur pa pagë.

“Nuk pajtohem që ne me u sill në një normalitet absurd, sikur nuk po ndodh kurrgjë, kur mbi 26 mijë familje të Kosovës nuk i kanë marrë pagat për mbijetesë. Qysh mundemi me u sill na sikur s’po ndodh kurrgjë” – tha Gashi.

“Duhet patjetër mi marr pagat nuk mund të aktrojmë sikur gjithçka është normale” – tha ai.

Këto deklarata Gashi i bëri, pasi grupi i Lëvizjes Vetëvendosje kërkoi që të hyjnë në rend dite 5 pika të reja të rendit të ditës.

Gashi tha se propozimi për ta është i papranueshëm.

Edhe Abelard Tahiri kryetar i grupit parlamentar të Partia Demokratike e Kosovës, tha se së pari t’i ekzekutojnë pagat, e pastaj do t’i kthehen normalitetit.

“Nuk është situatë normale kur i ke rreth 28 mijë familje në vendin tonë që nuk i kanë pagu kreditë. Besoj që ju do të reflektoni që ju t’i qitni pagat dhe pastaj edhe ne do t’i kthehemi realitetit”- tha Tahiri.

Besnik Tahiri, kryetar i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se është e pamundur që Kuvendi dhe ky kabinet të sillet me aq lehtësi ndaj një situate që është e jashtëzakonshme.

“AAK nuk do të votojë asnjë marrëveshje as ndërkombëtare as kurrfarë marrëveshje në qoftë se nuk veproni shpejt me pagat për grevistë dhe Ligjin e pagave. Mos prisni prej neve asnjë votë”- tha ai.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, e kishte konfirmuar se vetëm ata që kanë punuar, do të marrin pagat e muajit shtator.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, kishte njoftuar se i kanë propozuar Ministrisë së Financave që të shqyrtojnë mundësinë e pagesës në avans, ashtu që familjet e mësimdhënësve, sipas saj, të mos mbesin pa paga deri në fund të muajit, kur edhe dalin pagat për muajin tetor.