Eliza Hoxha/ PDK

Opozita kërkon shkarkimin e Bordit të RTK-së, mocioni nuk hidhet në votim në mungesë kuorumi

Deputetët opozitarë kanë kërkuar shkarkimin e anëtareve të bordit të RTK-së, në seancën e mbajtur më 04.11.2024.

Eliza Hoxha, deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, ishte ajo që e ka parashtruar kërkesën e gjashtë deputeteve të kësaj partie për shkarkimin e bordit të mediumit publik në vend.

Lidhur me gjendjen e krijuar në RTK, ajo ka akuzuar qeverinë, e cila sipas saj, për gjatë këtij mandati ka cenuar lirinë e medias.

Hoxha ka përkujtuar se edhe Raporti i Progresit i Komisionit Europian ka nënvizuar disa nga regreset që Kosova ka shënuar sa i përket fushës së medias.

“Për gjatë këtij mandati kemi qenë dëshmitarë të përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë dhe shumicës parlamentare për të cenuar lirin e medias dhe fjalën e lirë. Këtë e thekson edhe Raporti i Progresit i BE-së për Kosovën i cili flet për regres dhe ndikim politik jo vetëm në fushën e medias por edhe në sektorë të tjerë” – ka deklaruar deputetja Hoxha.

Gjatë fjalimit, ajo i ka përmendur edhe disa nga shkeljet që pretendon të jenë bërë në fushën e medias dhe në RTK gjatë kohës së qeverisjes së Vetëvendosjes.

“Përpjekja e qeverisë për të ushtruar kontroll në media, Kuvendi nuk mori  parasysh shumicën e rekomandimeve të BE-së për KPM-në; Kuvendi si themelues i RTK-së nuk ndërmori as hapat për mbikëqyrjen e drejt dhe llogaridhënien që bordi duhet ta bëjë; mungesa e transparencës; 72 raste dhe kërcënime ndaj gazetarëve dhe presione ndajë aktereve civil në shërbimin publik, janë vetëm disa nga shqetësimet” – ka deklaruar Hoxha.

Radio Televizioni i Kosovës, sipas saj, ka dështuar për të qenë besnik ndaj parimeve të gazetarisë me rastin e citimit të lajmit nga media boshnjake.

“RTK dështoi t’iu qëndroj besnik parimeve themelore të gazetarisë dhe ligjshmërisë për të verifikuar faktet dhe për të cituar faktet e besueshme të lajmeve. Në këtë mënyrë lajmet e rreme në RTK që citonin një medium boshnjak, artikulli i të cilit edhe mund të jetë shkruar në zyret e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë përbëjnë cenim direkt të sigurisë dhe jetës së gazetarëve së këtyre mediumeve” – ka thënë deputetja Hoxha.

Këtyre akuzave u është kundërpërgjigjur kryetari i Komisionit për media, Valon Ramadani nga LVV-ja.

“PDK-ja po donë ta shkarkojë një bord ku prej shtatë anëtareve, tre kanë dhënë dorëheqje ndërsa dy prej tyre ju skadon mandati dhe tani më konkursi është i hapur për ta. LDK-ja si zakonisht është pas PDK-së e sinqeriteti në këtë kërkesë është zëro (0)” – ka deklaruar Ramadani.

Për deputetin Ramadani, shqetësim real është financimi i mediave në këtë kohë. Brenga e PDK-së në këtë aspekt, sipas tij, është së këtu janë të prekura mediat që i shtynë agjendat politike të kësaj partie.

“Dyshimin mbi financimin e mediave nuk janë ‘fake news’, por janë shqetësim real në këtë kohë kur Rusia po bënë luftë reale dhe hibride. Brenga këtu e PDK-së është së janë përmendur mediume private që ua mbajnë vijën dhe ua shtyjnë politikat” – ka deklaruar Ramadani.

Problemi i PDK-së, siç ka thënë ai, është që tani kjo parti nuk ka kontroll mbi RTK-në.

“Në fakt halli i PDK-së nuk është as tek RTK-ja e as të shërbimi që RTK-ja ofron për qytetarët, por halli është që këtyre ju ka humbur kontrolli mbi RTK-në që kanë pasur me vite aty” – ka thënë Ramadani.

Si pasqyrë të gjendjes së RTK-së, ai përmendi numrin e punëtorëve që aktualisht janë, e që sipas tij më herët ishin të punësuar militant politik.

“Po iu kujtoj që në RTK më herët kanë qenë të punësuar mbi 1100 persona, ndërsa sot janë vetëm 740 veta. Të gjithë këta kanë qenë militantë partiak që janë shpërblyer për angazhimin e tyre duke u paguar nga taksat e qytetarëve të këtij vendi” – tha Ramadani.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Ableard Tahiri, tërhoqi vërejtjen se kërkesa e opozitës për shkarkimin e bordit të RTK-së ka qenë nga korriku, por është neglizhuar nga mazhoranca.

Edhe shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, nga ana e tij ka vlerësuar se Radio Televizioni i Kosovës ka dështuar si institucion publik në dhënien e lajmeve dhe programacionit në publik.

Si rezultat i këtij “dështimi e politizimi”, sipas Gashit, LDK-ja mori vendim dhe refuzoi çdo pjesëmarrje në debate dhe emisione të këtij mediumi.

“Me ardhjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje, me mentalitetin e tyre të kapjes së pushtetit dhe të shtetit, veprimin e parë që e bënë në këtë institucion të pavarur ishte shkarkimi i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës. Normalisht ky vendim ishte antikushtetues dhe u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga palët e dëmtuara. Gjykata Kushtetuese vendosi që shkarkimi është antikushtetues, por ata nuk u mërzitën për atë punë. Vazhduan me politizim dhe kapje të këtij institucioni duke quar në Bordin e Radio Televizionit të Kosovës të gjithë personat me ngarkesë politike nga LVV-ja”- tha ai.

Gashi akuzoi edhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë se është përdorur në interes të një grupacioni politik.

“Shkuan deri aty sa askush nuk kishte shkuar para tyre. Prodhuan informacione të rrejshme kundër kolegëve të tyre. Këto u shpërndanë në emër të AKI-së. Ky agjencion nuk duhet të përbaltet në skandale të tilla. Një agjencion i tillë bëhet i pabesueshëm për partnerët ndërkombëtarë, bëhet i pabesueshëm për informatorët e mundshëm dhe bëhet i rrezikshëm për qytetarët e Kosovës”- përfundoi ai.

Gjendja në RTK ka pasqyruar edhe në Raportin e Progresit. Komisioni Europian e ka konsideruar thelbësore zgjedhjen e anëtarëve të ri të Bordit të RTK-së, ndërsa thuhet se RTK duhet të adresojë me shpejtësi shqetësimet lidhur me llogaridhënien editoriale dhe pavarësinë.

“Më vonë gjatë vitit, RTK u kritikua publikisht për publikimin e një artikull të huaj që kishte target dy portale të lajmeve të Kosovës. Kjo çoi në dorëheqjen kryetar të bordit dhe dy anëtarëve të tjerë të bordit. Është thelbësore që bordi të bëhet shpejt sërish funksional. RTK-ja duhet t’i adresojë me shpejtësi shqetësimet lidhur me llogaridhënien editoriale dhe pavarësinë”- thekson raporti i progresit i BE-së për Kosovën.

Besnik BoletiniArta Berisha dhe Safet Kabashaj, anëtarë të bordit të RTK-së, dhanë dorëheqje në gusht të këtij viti pas kritikave ndaj RTK për publikimin e një lajmi nga një medie boshnjake, i cili pretendon, ndër të tjera, se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka marrë nën kontroll edhe media kosovare.

Në shtator të 2023, KALLXO.com kishte publikuar hulumtimin e gjatë që shpërfaqte luftën e 3 grave, punëtore të RTK-së, të cilat nuk u lejuan të avancoheshin në pozita udhëheqëse brenda institucionit.

Radio Televizioni i Burrave 

Kryetari i Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, Besnik Boletini, ka njoftuar më 17.08.2024, se ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe anëtarit të bordit të RTK-së.

Pas tij, më 17.08.2024, dorëheqje ka dhënë edhe anëtarja tjetër e këtij bordi, Arta Berisha.

I dorëhequri i tretë nga Bordi i RTK-së është, Safet Kabashaj. Ai ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë më 18.08.2024.