Opozita kërkon angazhim më të madh nga Qeveria në ballafaqim me pandeminë

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri në mbledhjen e Kuvendit ka kërkuar angazhim më të madh nga Qeveria për përbaltjen me pandeminë.

“Javën e kaluar kur mora fjalën dhe kërkova një angazhim më të madh nga Qeveria, Kosova kishte 271 raste, ndërsa sot një javë më vonë, 888 raste. I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos veprojë sikur këtë javë që pavarësisht thirrjeve të qytetarëve, deputetëve dhe mjekëve nuk duket që janë rritë masat për ballafaqimin me COVID-19”, ka thënë Tahiri.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka shprehur gatishmërinë e LDK për të kontribuar në vlerësimin e situatës pandemike.

“Ky është keqmenaxhim, duhet reflektim tjetër. Në emër të LDK-së, u bëjmë thirrje që t’i ktheheni punës, vetëm puna dhe përkushtimi e lehtëson menaxhimin e kësaj situate deri në eliminimin e tërësishëm të virusit”, ka thënë Zemaj.

Besnik Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se qeveria ka dështuar totalisht në vetëdijësimin, edukimin, planin operacional të vaksinimit në masë të qytetarëve të Kosovës. Sipas tij qeveria e ka nënvlerësuar situatën duke u thirr fillimisht në rezultatet e rënies së numrave të cilët sipas tij, po shihet se nuk ishin vijimësi i politikave të qeverisë.