Opozita bjelloruse bën thirrje për grevë të përgjithshme

Opozita bjelloruse ka bërë thirrje për një grevë të përgjithshme në të gjithë vendin më 26 tetor si presion ndaj, Alyaksandr Lukashenkas, për të dhënë dorëheqje.

Udhëheqësja e opozitës, Svyatlana Tsikhanouskaya, bëri thirrje që greva të vazhdojë pas goditjes së protestave në Minsk dhe qytete të tjera më 25 tetor. Gjatë ndërhyrjes, policia përdori gazlotsjellës dhe plumba gome kundër dhjetëra mijëra protestuesve në kryeqytetin, Minsk dhe qytete të tjera anembanë Bjellorusisë. Të paktën 280 persona u arrestuan.

Tsikhanouskaya u ka kërkuar bjellorusëve të bllokojnë rrugët, të mbyllin vendet e punës, të ndalojnë përdorimin e dyqaneve dhe shërbimeve qeveritare dhe të tërheqin të gjitha paratë nga llogaritë e tyre bankare.

Bjellorusia është tronditur nga protestat që kur Lukashenka, i cili është në pushtet që nga viti 1994, u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale të vendit më 9 gusht. Opozita e ka akuzuar për manipulim të gjerë të votave duke thënë se Tsikhanouskaya ishte fituese e ligjshme.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania dhe Kanada kanë refuzuar të njohin fitoren e Lukashenkas dhe vendosën ndalime të udhëtimit dhe ngrirjen e aseteve kundër një vargu zyrtarësh bjellorusë të akuzuar për mashtrim zgjedhor dhe shtypje të protestave./REL