Opozita anti-Erdoğan e Turqisë zotohet për rivendosje të marrëdhënieve me BE dhe NATO

Opozita e Turqisë është e bindur se mund t’a shkrijë akullin në bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe do t’i japë fund vetos së Ankarasë për anëtarësimin në NATO për Suedinë dhe Finlandën nëse arrin ta moshtë presidentin Rexhep Tajip Erdogan në zgjedhjet e ardhshme të diskutueshme.

Ünal Çeviköz, këshilltari kryesor i politikës së jashtme i kandidatit kryesor të opozitës Kemal Kılıçdaroğlu në zgjedhjet e 14 majit, tha gjithashtu se një qeveri e re do të përpiqet ta riparojë rekordin e njollosur të Turqisë për të drejtat e njeriut.

Më e rëndësishmja, ai u zotua se opozita do t’i zbatojë vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që bëjnë thirrje për lirimin e dy prej kundërshtarëve më të njohur të Erdoganit që janë aktualisht në burg: bashkë-udhëheqësit të Partisë Demokratike Popullore pro-kurde Selahattin Demirtaş dhe atë të drejtave të njeriut mbrojtësin Osman Kavala.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të majit pritet të jenë gara më e afërt në qeverisjen dy dekadashe të Erdoganit dhe vëzhguesit po vëzhgojnë nga afër për të përcaktuar nëse një qeveri e re mund ta përcaktojë një trajektore më të drejtë politike ndaj perëndimit. Bisedimet e pranimit në BE kanë hasur në një bllokadë që nga viti 2018 për shkak të regresit demokratik të Turqisë dhe politizimit të gjyqësorit të tij.

Në fillim të këtij muaji, koalicioni i opozitës i përberë nga gjashtë parti e ka bërë publik emrin e kandidatit të tij të përbashkët presidencial për ta kundërshtuar Erdoganin, duke e hedhur mbështetjen e tyre pas udhëheqësit kryesor të opozitës Kılıçdaroğlu nga Partia Popullore Republikane e qendrës së majtë. Ndërsa Erdogani është jashtëzakonisht i cenueshëm këtë vit për shkak të inflacionit të furishëm dhe reagimit ndonjëherë të ngadaltë të Ankarasë ndaj tërmeteve të muajit të kaluar që la të vrarë dhjetëra mijëra njerëz, ai do të jetë ende i vështirë për t’u mposhtur falë aftësisë së tij për të apeluar tek një elektorat kryesor me konservatorizëm fetar, skema të mirëqenies dhe projekte ndërtimi të rëndësishme.

Ne do të fillojmë me procesin e normalizimit në politikën e brendshme,” ka deklaruar Çeviköz, diplomat në pension që shërbeu si ambasador në Baku, Bagdad dhe Londër, në një intervistë për POLITICO. “Kjo thjesht do t’u japë mesazhin të gjithë aleatëve tanë dhe të gjitha vendeve evropiane, se Turqia është kthyer në rrugën e demokracisë dhe kjo sigurisht që do ta krijojë një ndryshim shumë serioz në perceptimin për pozicionin e Turqisë.

Kur u pyet për vendet e BE-së që kanë qenë tradicionalisht armiqësore ndaj pranimit të Turqisë në BE – si Franca dhe Austria – Çeviköz theksoi rëndësinë e rifillimit të procesit diplomatik për të vënë një vijë nën konfrontalizmin e Erdoganit me Evropën.

“Kjo nuk do të thotë se Turqia do të bëhet anëtare e menjëhershme, megjithatë, është çështje procesi dhe është procesi që ka rëndësi. Sepse ne duam që vendi ynë të bëhet një vend demokratik, si anëtar i komunitetit të kombeve të qytetëruara”.

Çeviköz deklaron gjithashtu se aleanca opozitare nuk do ta bllokojë procesin e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO, siç ka bërë Erdogan.

“Nëse i bartni problemet tuaja dypalëshe në një organizatë shumëpalëshe, siç është NATO, atëherë po krijoni një lloj polarizimi me të gjithë anëtarët e tjerë të NATO-s me vendin tuaj,” vuri në dukje ai. “Unë mendoj se anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës do ta rrisë dhe forcojë sigurinë e një organizate të mbrojtjes kolektive, siç është NATO.

Çevikoz tutje shton se nën udhëheqjen e Kılıçdaroğlu, Turqia do të ishte e gatshme të vazhdojë të veprojë si ndërmjetëse midis Rusisë dhe Ukrainës dhe ta zgjasë marrëveshjen e grurit të Detit të Zi.

“Aktualisht, marrëdhëniet midis Turqisë dhe Rusisë janë mjaft asimetrike, sepse Turqia është shumë e varur nga importet e energjisë nga Rusia,” tha ai. “Ne thjesht do ta vëmë theksin tek fakti që Turqia është anëtare e NATO-s dhe në diskutimet tona me Rusinë, sigurisht që do të kërkojmë një marrëdhënie mes të barabartëve, por gjithashtu do t’i kujtojmë Rusisë se Turqia është anëtare e NATO-s.

Së fundi, mbi përshkallëzimin e fundit të tensioneve me Greqinë fqinje, Çeviköz thotë se reagimi i Greqisë ndaj tërmeteve shkatërruese të muajit të kaluar në Turqi “ka ofruar një mundësi dhe ka krijuar një mjedis të ri”.

“Të dyja vendet do të kenë zgjedhje dhe ndoshta do të kenë zgjedhje në të njëjtën ditë,” shtoi ai. “Pra, kjo do të hapë një horizont të ri përpara të dy vendeve.”/Politico.eu

Përgatiti: Nuhi Shala