Opozita akuzon LVV-në për shkelje procedurale gjatë shqyrtimit të buxhetit për vitin 2025
Tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, e kanë akuzuar partinë në pushtet- Lëvizjen Vetëvendosje, për shkelje procedurale sa i përket shqyrtimit të Projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2025.
Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, më 21.11.2024, deputetët opozitarë kanë bërë thirrje që projektbuxheti të kthehet prapa në mënyrë që të kenë kohë të mjaftueshme për propozimin e amendamenteve.
Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, e ka akuzuar partinë në pushtet për tri shkelje procedurale, duke i cilësuar ato si “shkelje të rënda”.
“Ka ndodh një shkelje procedurale sepse është hedhur në votim diçka që nuk ka qenë ende në rend dite. Pra hedhja në votim e shkurtimeve, afateve dhe procedurave nuk ka qenë në rend të ditës dhe kjo ka kufizuar të drejtat e deputetëve. Pra, kjo është një shkelje rëndë kushtetuese, sepse është lënë vetëm dy ditë kohë që deputetët të propozojnë amendamente”- ka thënë Gashi.
Me këtë rast, ai i ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani, që ta kthejë në Kuvend këtë ligj në mënyrë që të plotësohen kriteret e duhura.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se këto shkelje të pretenduara nga deputeti Gashi do të adresohen te zyra ligjore e Kuvendit të Kosovës.
Ndërsa, kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se nuk janë trajtuar kërkesat e komunave që udhëhiqen nga AAK.
“Ka shkelje procedurale të plasimit të buxhetit në seancë dhe kjo ndërlidhet me mostrajtimin dhe mos sjelljen në Kuvend të kërkesave të organizatave buxhetore. Unë po flas për komunat që vijnë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kërkesat e Komunës së Rahovecit, asaj të Gjakovës dhe Komunës së Deçanit”- ka thënë Tahiri.
Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar që projektligji të mos hidhet fare në votim.
“Kërkoi që ky buxhet që të mos vihet fare në votim për lexim të dytë. Tashmë kanë dal një mori planifikimesh kriminale, duke filluar nga Ministria e Bujqësisë. Votimi i këtij Projektbuxheti do të thotë mbështetje të skemave kriminale. Ky është buxhet i kontaminuar që mbështet skema kriminale. Duhet diskutim i thellë dhe jo në afate të përshpejtuara, sepse në lexim të parë nuk e kemi ditë që familjarë të deputetëve në pushtet kanë përfituar nga këto skema kriminale. Unë po kërkoj që kjo mos të ndodhë. T’i heqim këto skema kriminale. Kërkoj që ky projektbuxhet të kthehet mbrapa dhe të mos përshpejtohet”, ka thënë Tahiri.
Më 11.11.2024, Projektligji për buxhetin për vitin 2025 është miratuar në parim me 59 vota për dhe me dy abstenime.
Buxheti për vitin 2025 është 3.6 miliardë euro.