Ilustrim

Operacioni policor "Mezhgorani", vë në pranga personin e shpallur në kërkim

Policia e Shtetit ka njoftuar se në kuadër të një operacioni të koduar “Mezhgorani”, ka arritur që të arrestoj një person të dyshuar në Gjirokastër, i cili ishte shpallur në kërkim.

“Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor “Mezhgorani”, i finalizuar në muajin shkurt të vitit 2020, u ndalua një prej personave të shpallur në kërkim për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Falsifikimi i dokumentave”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Policia ka njoftuar se nga policia në Gjirokastër është arrestuar i dyshuari A. A., 52 vjeçar, të cilit Gjykata në Përmet i ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Falsifikimi i dokumentave”.

Në njoftim thuhet se materialet për procedurat të mëtejme në lidhje me rastin i janë dorëzuar Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.