Operacioni policor "Dorëza", vë në pranga dy të dyshuar për grabitje të armatosur

Policia në Prishtinë ka njoftuar se ka kompletuar operacionin policor të koduar “Dorëza”, me qëllim të arrestimit të personave që kohëve të fundit kanë qenë të përfshirë në grabitje të armatosura.

Në kuadër të këtij operacioni, policia ka bërë të ditur se ka arrestuar dy persona të dyshuar.

“Specialist për hetimin e rasteve të grabitjeve të mbështetur edhe nga njësi tjera të specializuara konkretizuan sot punën e tyre hetimore e cila rezultoi me arrestimin e dy të dyshuarve për të cilët dyshohet me bazë të jenë përfshirë në grabitjen e armatosur më datë 20.01.2021 në rrugën “Gustav Majer” në Prishtinë, me ç’rast nën kërcënimin e armës kishin grabitur një vlerë të konsiderueshme parash nga një biznes farmacie”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka bërë të ditur se arrestimi i të dyshuarve është bërë sot në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë, përderisa policët e përfshirë në operacion pas një observimi paraprak ndaluan veturën Audi A3, me të cilën po qarkullonin të dyshuarit, M. K, 21 vjeçar dhe K. M, 20 vjeçar të cilët menjëherë u arrstuan nga ana e policisë.

“Ndërkohë që policia ka ushtruar kontrollë të detajuar ndaj të dyshuarve dhe veturës ka arritur të gjejë dhe të sekuestroj edhe një revole, model i veçantë, dy kapele maskë, një palë doreza, si dhe gjësende të tjera të cilat nga hetimet e kryra nga ana e policisë dyshohet të jenë përdorur në rastet që janë hetuar”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se ndërlidhur me ndriqimin e plotë të rrethanave të rasteve që po hetohen nga ana e policisë, pas arrestimit janë kryer edhe tri operacione të bastisjes në tri lokacione të ndara, dy nga to në regjionin e Mitrovicës dhe një në Prishtinë, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi substance narkotike (dyshohet të jetë e llojit Canabis), një thikë, dy maska, dy shufra metalike, si dhe, një palë tuta sportive dhe një pallto (që dyshohet të jenë përdorur në rastet që po hetohen).

“Ndaj të dyshuarve për të cilët është ngritur dyshimi i arsyeshëm se të njejtit janë të përfshirë në disa raste të grabitjeve me rekomandimin e prokurorit të shtetit është shqiptuar masa e arrestit policor prej 48 orësh, përderisa po kryhen veprimet vijuese hetimore në procedim të mëtejm të rastit”, njofton policia.