Ilustrim Foto: Policia e Shtetit

Operacioni kundër prostitucionit, arrestohen shtetas të Spanjës, Kolumbisë e Venezuelës në Elbasan

Shtatë persona të nacionaliteteve të ndryshme janë arrestuar në një operacion të gjerë të Policisë së Shtetit të cilët dyshohen për ushtrim të prostitucionit në Elbasan.

Policia e Shtetit ka njoftuar se përmes një hetimi intensiv, i ndjekur me metoda speciale është ndërmarrë edhe operacioni i koduar si “Fee” kundër veprimtarive të kundërligjshme, konkretisht asaj të prostitucionit.

Shtatë persona janë arrestuar në flagrancë, një tjetër është proceduar penalisht dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim për ushtrim të prostitucionit dhe shfrytëzim të prostitucionit.

Shtetasit në kërkim sipas policisë së shtetit janë nga vendet e Amerikës Latine.

Sipas policisë, të arrestuar janë dy shtetas kolumbiane, A. B., 22 vjeç, dhe L. B., 19 vjeçe, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, shtetaset spanjolle S. F., 36 vjeçe, dhe M. C., 32 vjeçe, shtetaset kolumbiane P. S., 27 vjeçe, dhe Y. A., 29 vjeçe, si dhe shtetasja venezuelase A. R., 38 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”.

Tutje sipas Policisë së Shtetit në prokurori është nisur procedimi penal edhe për shtetasen venezuelase Y. O., 31 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”.

Në vijim të veprimeve, Policia e Shtetit ka referuar materialet në Prokurori dhe u shpallën në kërkim shtetasit peruane F. G., 23 vjeçe, dhe J. G., 44 vjeç, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.

Gjatë operacionit, në lagje të ndryshme të Elbasanit, sipas policisë këta persona të dyshuar kishin marrë ambiente të ndryshme me qira, për shfrytëzim prostitucioni, si dhe kishin promovuar në faqe online se ofronin favore seksuale me pagesë.

Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 43 mijë lekë, 2 mijë e 780 euro, që dyshohen se janë përfituar nga kjo veprimtari kriminale, si dhe 9 telefona celularë.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit është duke u punuar në dokumentimin e plotë ligjor të rastit, dhe kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.