Operacioni Forca e Ligjit, sekuestrohen vetura të blinduara

Policia shqiptare ka njoftuar se në vijim të Operacionit Forca e Ligjit, në zbatim të ligjit special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar, ka sekuestruar disa automjete të blinduara të disa shtetasve të dënuar për vepra të ndryshme penale.

“Në vijim të Operacionit Forca e Ligjit, në zbatim të ligjit special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në bazë të nenit 19 të Aktit Normativ nr. 1, datë 31.01.2020, nxori urdhrat e sekuestrimit në kushtet e emergjencës për disa automjete të blinduara, të cilat u sekuestruan gjatë operacionit”, thuhet në njoftim.

“Automjetet e sekuestruara janë në pronësi të shtetasve: S. T., banues në Lushnjë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; D. Gj., banues në Durrës, i dënuar në Itali për trafik të qenieve njerëzore; D. B., banues në Krujë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”; Operacioni vijon dhe OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë”, përfundon njoftimi.