Foto - Afrim Ejupi / Kallxo.com

Operacioni anti-drogë në veri, Sveçla: Ju lumtë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot pas hetimeve intensive në rajonin e Mitrovicës veri, është realizuar një operacion policor anti-drogë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se Policia ka shkatërruar 2 laboratorë droge në Mitrovicën e Veriut dhe sipas tij, është arrestuar pronari i njërit laborator.

Sveçla tha se bashkëpronar i laboratorit të shkatërruar kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Urën e Bistricës muajin e kaluar ndërsa njëri nga të arrestuarit në këtë operacion është edhe vëllai i tij.

“Bashkëpronar i laboratorit tashmë të shkatërruar është personi i cili sulmoi Policinë e Kosovës në Urën e Bistricës muajin e kaluar ndërsa njëri nga të arrestuarit në këtë operacion është edhe vëllau i tij. Këto pra janë strukturat kriminale që po i mbrojnë zellshëm Vucic e Petkovic. Çdo tentativë e Serbisë që përmes bandave kriminale të destabilizojë Kosovën është e kotë dhe e dështuar”- shkroi ministri në rrjetin e tij në Facebook.

Në një publikim të dytë në Facebook, ministri përgëzoi pjesëtarët e Policisë së Kosovës për këtë operacion anti-drogë.

“Edhe një laborator tjetër i zbuluar në veri të vendit, i dyti sot, si dhe edhe një kriminel prapa hekurave. Ju lumtë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”- ka shkruar ai.