Ilustrim

Operacion i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shqipërisë në Prishtinë, arrestohet i kërkuari për vepra të ndryshme penale

Në një operacion të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shqipërisë është arrestuar sot në Prishtinë, shtetasi shqiptar A.L.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Shqipërisë.

Sipas Policisë së Shtetit, në saje të një pune të mirëfilltë profesionale sot, më 04.08.2024, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Sektori për Kërkimin, Njësia Fast Albania, në bashkëpunim të ngushtë me FAST Kosova, në vijim të shkëmbimeve të informacioneve, në kuadër të operacionit policor “GORDONËT”, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në Prishtinë i shtetasit A. L., lindur e banues në Elbasan.

Sipas Policisë shqiptare, ndaj shtetasit A.L., Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë më 29.07.2024 ka caktuar masën e sigurimit – arrest me burg, për veprat penale – sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje, kryer në bashkëpunimin e veçantë në formën e organizatës kriminale ; grupi i strukturuar kriminal; organizata kriminale;  pastrimi i produkteve të veprës penale.

Policia e Kosovës ka njoftuar sot për një aksion të gjerë të ndërmarrë në Prishtinë, në të cilin ishin të përfshira njësi të ndryshme policore.