Onkologjisë i shtohet edhe një shërbim i ri

Në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është përuruar sot shërbimi i Brahiterapisë. Në këtë shërbim do të bëhet trajtimi i sëmundjeve malinje në kontakt direkt tumor- rreze.

Klinika e Onkologjisë do t’i ofrojë këto shërbime nga janari i vitit të ardhshëm, fillimisht vetëm për sëmundjet e organeve gjenitale të femrës.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, aktivizimin e shërbimit të ri për trajtimin e sëmundjeve tumorale e vlerësoi lart, duke thënë se i ka munguar Kosovës shumë.

“Ky shërbim i promovuar, i cili është në interes të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve, sidomos femrave, një projekt i munguar, por që mungon edhe në vendet e rajonit, është një justifikim i mirë për ne dhe qytetarët e Kosovës, për institucionet, por, mbi të gjitha, për profesionistët shëndetësorë”, tha Zemaj.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, në anën tjetër, tha se pacientët, të cilët kanë nevojë për këtë shërbim, nuk kanë pse të shkojnë më jashtë vendit.

“Numri i rasteve, që kanë nevojë për këtë shërbim, është relativisht i madh. Brenda një viti këtë shërbim e kërkojnë rreth 50 pacientë. Kjo aparaturë mund të shërbejë edhe për trajtimin e tumoreve të organeve tjera, në raste të veçanta. Gjatë i vitit të ardhshëm, shërbimet me aparaturën e re do t’i zgjerojmë”, tha Kurtishi.

Sipas planifikimeve, brenda 3 muajve të parë të vitit 2021, në Klinikën e Onkologjisë pritet të aktivizohet edhe aparatura e re për radioterapi, e cila do të rrezatojë me teknikën IMRT, që do të ofrojë shërbime të një niveli tjetër, shumë më të përsosura se deri tani.